Lajme
Deputetët gjermanë miratojnë planin masiv të investimeve për ushtrinë dhe ekonominë
Ligjvënësit gjermanë miratuan të martën planin e madh të investimeve të kancelarit të ardhshëm, Friedrich Merz, për të riarmatosur dhe modernizuar Gjermaninë përballë tronditjeve gjeopolitike globale. Ky projektligj duhet ende të miratohet nga Bundesrat-i, dhoma që përfaqëson rajonet, të premten, transmeton albinfo.ch.
Paketa, me vlerë disa qindra miliardë euro për mbrojtjen dhe ekonominë, e cila kërkon zbutjen e rregullave të borxhit të përcaktuara në kushtetutën gjermane, u miratua nga 513 deputetë, ndërsa 207 abstenuan.
Plani përfshin lehtësimin e të ashtuquajturit “frenë borxhi,” i cili kufizon kapacitetin e huamarrjes, si për shpenzimet ushtarake ashtu edhe për rajonet. Përveç kësaj, do të krijohet një fond i veçantë, jashtë buxhetit, prej 500 miliardë eurosh për një periudhë 12-vjeçare, për të modernizuar infrastrukturën dhe për të nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë më të madhe të Europës, e cila prej dy vitesh ndodhet në recesion. Nën presionin e ambientalistëve, 100 miliardë euro do të destinohen për mbrojtjen e klimës. Plani gjithashtu do të mundësojë çlirimin e 3 miliardë eurove në mbështetje ushtarake të vonuar për Ukrainën.
Kundër “luftës ndaj Europës”
Duke folur përpara Bundestagut, dhomës së ulët të parlamentit, Friedrich Merz i bëri thirrje deputetëve që të miratojnë këtë paketë të paprecedentë investimesh për të kundërshtuar “luftën e Rusisë ndaj Europës.” Kjo është “një luftë kundër Europës, jo vetëm kundër integritetit territorial të Ukrainës,” deklaroi udhëheqësi i kampit konservator CDU/CSU, duke përmendur sulmet kibernetike dhe sabotimet e infrastrukturës që i atribuohen Rusisë.
Kancelari i ardhshëm e përshkroi gjithashtu këtë plan si “hapin e parë të madh drejt një bashkësie të re evropiane të mbrojtjes,” që do të përfshijë edhe “vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian,” si Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia.
“Bëhet fjalë për t’i dhënë një drejtim të ri historisë së vendit tonë, një rilindje pozitive për Gjermaninë, një rilindje pozitive për Europën,” u shpreh përpara deputetëve edhe kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil.
Hapi i radhës të premten
Për të hyrë në fuqi, teksti duhet të marrë miratimin edhe nga Bundesrat-i të premten. Komisioni i buxhetit i Bundestagut pritet të aprovojë zyrtarisht alokimin e këtyre fondeve menjëherë pas votës së Bundesrat-it, sipas burimeve parlamentare.
Shpenzimet e mëdha të investimeve do të shoqërohen me kursime në të gjitha nivelet dhe reforma të mëdha, që pritet të vënë në provë koalicionin e madh të ardhshëm.
E-Diaspora
-
Itali
27-vjeçari shqiptar humb jetën në Itali pas një aksidenti tragjik në vendin e punës Floriano Cani ndërroi jetë katër ditë pas aksidentit, pasi u godit nga një shtyllë telekomunikacioni gjatë... -
Protesta e katërt në Gjenevë: Diaspora shqiptare vazhdon mobilizimin, “Shqipëria nuk është në shitje” -
Gjermani/Francë
Sot u jepet lamtumira e fundit dy vajzave shqiptare nga diaspora që humbën jetën në aksidente tragjike -
BQK: Ekonomia e Kosovës pritet të ngadalësohet, inflacioni të rritet në 6.7% gjatë vitit 2026 -
Pranvera Hyseni solli nga SHBA një teleskop dhe e dhuroi në Ditën Ndërkombëtare të Asteroidëve
Jeta në Austri
-
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair Gjykata Supreme e Austrisë (OGH) ka rrëzuar një gamë të gjerë klauzolash tarifash të përdorura nga... -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve -
Temperatura rekorde edhe në Vjenë -
Kampionati botëror: Austria, në kërkim të një vendi për në fazën eliminatore












