Kosova

Deputetët e Kosovës nisin të mblidhen në Kuvend për seancën konstituive

Deputetët mblidhen në ditën e fundit të afatit kushtetues, ndërsa pas konstituimit pritet të nisin procedurat për formimin e institucioneve të reja.

Ka nisur seanca plenare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet në ditën e fundit të afatit të paraparë me Kushtetutë për përmbylljen e këtij procesi, përcjell albinfo.ch.

Me konstituimin e Kuvendit pritet të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja të vendit, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdojnë diskutimet politike lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Seanca ka nisur me themelimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të deputetëve. Pas miratimit të raportit të komisionit, deputetët do të bëjnë betimin dhe më pas do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ekspertët e çështjeve kushtetuese vlerësojnë se sfidat më të mëdha mund të shfaqen pas krijimit të institucioneve të reja, veçanërisht sa i përket zgjedhjes së presidentit. Sipas nenit 90 të Kushtetutës, ushtrimi i detyrës së ushtruesit të detyrës së presidentit është i kufizuar në një periudhë prej gjashtë muajsh.

Nëse brenda këtij afati nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi mund të përballet me një situatë të ndërlikuar juridike, pasi legjislacioni nuk përcakton qartë hapat që duhet të ndërmerren pas skadimit të këtij afati.

Sipas analistëve politikë, një skenar i tillë mund të ndodhë nëse subjektet politike nuk arrijnë të sigurojnë shumicën prej 80 votash në Kuvend, të nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Në këtë rast, nuk përjashtohet mundësia e interpretimeve nga Gjykata Kushtetuese, madje as opsioni i zgjedhjeve të reja.

Legjislatura e re e Kuvendit është rezultat i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor. /Albinfo.ch