Lajme

Delta po kërcënon vaksinimin

Në SHBA po infektohen shumë të vaksinuar që kanë ngarkesën virale si ata pa asnjë dozë

Përhapja e variantit Delta  duket se po kërcënon strategjitë e vaksinimit që synojnë imunitetin e tufës kundër Sars-cov-2. Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve infektive CDC ka publikuar së fundmi se në testet e kryera gjatë periudhës 3-17 korrik tek banorët në Masacusets, ku pati një shpërthim u zbulua se 75% e njerëzve të infektuar ishin të vaksinuar.

Por ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se e njëjta ngarkesë virale u zbulua midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve që zhvillojnë infeksionin. Në thelb, vaksinimi, ndonëse mbetet shumë mbrojtës, mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ndalur përhapjen e variantit Delta.

Gjetjet mbështesin pretendimet se njerëzit e vaksinuar po luajnë një rol në valën verore të infeksioneve nga varianti Delta dhe e kanë shtyrë CDC-në të kthehet në rekomandimin që edhe personat e vaksinuar  të mbajnë maska në ambientet e brendshme. Vendim, i cili mbetet në fuqi edhe në vendin tonë, ku është hequr si masë përdorimi i maskës në ambiente të jashtëm, por kurrsesi për ambientet e mbyllura, por askush nuk e respekton.

Disa ditë më parë, edhe profesori Anthony Fauci, konsulent imunolog i presidentit amerikan Joe Biden, paralajmëroi se varianti Delta mund të shkaktojë të njëjtin nivel virusi te pozitivët, qofshin të vaksinuar apo të pavaksinuar. Gjetjet e këtij studimi çojnë në konkluzionin vaksinimi tani ka të bëjë vetëm me mbrojtjen personale, mbrojtjen nga sëmundjet serioze. Imuniteti i tufës nuk është i rëndësishëm, pasi ka dëshmi të shumta të infeksioneve edhe te të vaksinuarit, madje edhe me vaksina që ofronin mbrojtje të lartë.

OBSH insiston në thirrjet e saj për të rritur numrin e të vaksinuarve në mënyrë që të dobësohet virusi dhe të mos i jepet kohë për të pësuar mutacione të tjera që, sipas ekspertëve pritet të jenë më agresive. Një i prekur me  mutacionin Delta i vaksinuar ose jo mund të infektojë deri 10 persona të tjerë.