Kosova

Cramon: Mbështesim aplikimin e Kosovës në KE, por jo edhe në BE

Parlamenti Evropian gjatë ditës së sotme ka miratuar raportet për Kosovën dhe Serbinë. Në këtë raport theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Deputetja gjermane, Viola Von Cramon, e cila ka përgatitur raportin për Kosovën, ka deklaruar se përkrahin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por jo edhe në Bashkimin Evropian.

Mes tjerash, ajo ka theksuar se mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, tha se ky raport është i fuqishëm dhe gjithëpërfshirës me pika fundamentale.

“Përkrahim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por kemi bërë një dallim të qartë me aplikimin për BE. Kur kemi thënë se nuk është kohë e duhur për shkak të çështjes së mosnjohjes, që do të rriste pritjet lokale që do të duhej ta menaxhojmë më vonë. Po ashtu, e kam thënë këtë edhe në Kosovë kur isha atje në herën e fundit”, ka deklaruar raportuesja për Kosovën.

Ajo pati fjalë të mira për qeverisjen aktuale, ku tha se është nisur një luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kemi pasur një kthesë të madhe politike në mes kohës 2020-2021 me qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, që ka ndërmarrë punë pas fitores së madhe të vitit 2021, e kanë qëllimin dhe po punojnë për reformat, të cilat do ta sjellin Kosovën më afër BE-së dhe në një situatë shumë të vështirë ekonomike. Por, kanë nisur me një luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, këtë po e shohim edhe në një moment special në kontekstin ndërkombëtar. Po e shohim se ka një agresion rus që është veçanërisht një shqetësim i madh për vendet në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, po e shohim një disponim në Kosovë që ka çuar në fuqizimin e forcave të EULEX-it në vend dhe sidoqoftë nuk kemi parë dhe nuk kemi vërejtur një kërcënim serioz për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, si në veri, ashtu edhe në ndonjë pjesë tjetër”, ka thënë ajo.

Më tej, në këtë raport përmendet edhe nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Në tekstin e raportit, po ashtu theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që bazohet në njohjen reciproke, si parakusht për qasjen në BE të dyja vendeve. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka qenë fort sipër në agjendën dhe marrëveshjen që janë arritur në të kaluarën. Tash po vihen në pyetje, që po tregon se nuk ka angazhim serioz dhe është kritikuar shumë nga individë, deputetë, po ashtu edhe në raportin tonë”, ka shtuar ajo.

Ajo shtoi se në raport thuhet se do t’i jepet përkrahje e plot të dërguarit special për dialog, Miroslav Lajçak. Sipas saj, ka pasur lajme të mira për dialog pas katër vitesh, me arritjen e marrëveshjes për energjinë dhe personat e zhdukur. Mes tjerash, Von Cramon ka bërë thirrje edhe për përfshirjen e grave në procesin e dialogut.

Në raportin për Kosovën përmendet edhe liberalizimi i vizave.

“E kemi përkrahur këtë vazhdimisht dhe tashmë amendamentet dhe shumicën në parlament tash theksohet me të vërtetë nga shumica e kolegëve të mi, se liberalizimi i vizave ende po e bllokon Kosovën në nivelin e Këshillit të Evropës, as në parlament e as në komision dhe këtë e çojmë gjithmonë në nivelet më të larta të qeverive franceze dhe holandeze. Kam qenë në Paris kam folur për këtë çështje dhe jemi munduar që sa më shumë që ta zhbllokojmë situatën. Tash kanë mbaruar zgjedhjet në Francë dhe po shohim se ka një momentum të ri që kjo të zhbllokohet”, ka theksuar ajo.

Ajo ka ftuar që qeveria të punojë me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Von Cramon ka ftuar që të zbatohen edhe vendimet e gjykatave për Manastirin e Deçanit.