Lajme
BE-ja paralajmëron masa ndaj veprimeve të Republikës Sërpska
NBë një reagim, Bashkimi Evropian ka dënuar veprimet e Kuvendit të Republikës Sërpska – entitet në Bosnjë e Hercegovinë – të cilat, sipas tij, çojnë drejt krijimit të një këshilli të ndarë gjyqësor dhe prokurorial, përcjell albinfo.ch.
Sipas BE-së, ky veprim “paraqet një shkelje të papranueshme të rendit kushtetues dhe atij ligjor të Bosnjë e Hercegovinës”.
“Nëse ky ligj miratohet, ai do të ketë pasoja të rënda për të drejtat e qytetarëve të Republika Sërpska, do të thellojë pasigurinë ligjore dhe jostabilitetin në sistemin ligjor të vendit dhe do të dëmtojë seriozisht perspektivën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës”, është thënë në komunikatën e lëshuar nga blloku evropian.
Republika Sërpska, së bashku me Federatën Myslimane-Kroate, janë dy entitetet që përbëjnë Bosnjë e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, në vitet 1990.
Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.
Projektligji për krijimin e këtij këshilli në Republikën Sërpska që ligjvënësit e mbështetën në seancën e së enjtes, është antikushtetues, sepse transferon kompetencat nga niveli shtetëror i Bosnjë e Hercegovinës në nivel të entitetit të Republika Sërpska.
Një vendim të tillë, pra për kalimin e kompetencave nga niveli i shtetit te një nivel më i ulët i qeverisjes, mund ta marrë vetëm Parlamenti i Bosnjë e Hercegovinës.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje liderëve në Bosnjë e Hercegovinës, në veçanti atyre në Republikën Sërpska, që të ndalin hapat që rrisin tensionet dhe të sigurojnë rifillimin e një dialogu serioz brenda institucioneve të shtetit, në mënyrë që të adresohen shqetësimet që kanë.
BE kërkon që liderët të fokusohen nga reformat që do të siguronin tejkalimin e krizës dhe përmbushjen e kritereve të BE-së për statusin e kandidatit.
Bashkimi Evropian kësaj radhe ka paralajmëruar edhe masa që mund të ndërmarrë kundër atyre të cilët rrezikojnë unitetin e vendit dhe funksionimin e institucioneve.
“Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri e ka vendosur situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe veprimet që dëmtojnë unitetin e vendit, në agjendën e takimit të ardhshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme”, është thënë mes tjerash në deklaratën e BE-së.
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj liderit të serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, edhe në BE ishin paraqitur ide që Bashkimi Evropian të ndiqte të njëjtën rrugë.
Këtë ide e kishte paraqitur edhe Gjermania. Por në BE nuk ka pasur pajtim nga të gjitha vendet anëtare për një gjë të tillë, sepse ato duan t’i japin mundësi dialogut.
Megjithatë tani rritet presioni që edhe Bashkimi Evropian, të marrë masa ndaj atyre që i sheh si përgjegjës për rrezikimin e unitetit dhe sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës.
Millorad Dodik edhe në të kaluarën ka kërcënuar me shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnjë e Hercegovina./ REL
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”











