Integrimi
Bankierët dhe financierët shqiptarë bëhen me shoqatë
Kryetar i shoqatës është zgjedhur Alban Nevzati. Anëtarët e kryesisë janë: Albert Muhadri, Përparim Avdili, Petrit Ismaili, Ernest Ukaj, Hetem Morina dhe Ilir Dobi
“Të pranishëm janë 24 veta me të drejtë vote”, konstaton kryesuesi i mbledhjes, Përparim Avdili, “fillojmë me rendin e ditës”. Nuk është mbledhje e ndonjë shoqate “të zakonshme”, kulturore, sportive a humanitare por mbledhja ose më saktë, kuvendi themelues i Shoqatës së punëtoreve financiarë shqiptarë të Zvicrës. SAF, siç është vendosur të quhet ky asociacion (Swiss-Albanian Finance Asociation) synon të bëjë bashkë të gjithë punëtorët shqiptarë të bankave dhe të institucioneve tjera financiare. E të tillë, janë rreth 450, siç del nga debati i zhvilluar gjatë kuvendit. Sigurisht, këtu përfshihen të gjitha funksionet, që nga sporteli e më lartë. Por janë disa dhjetëra prej tyre me tituj të lartë në hierarkinë bankare, shumë prej të cilëve ishin të pranishëm në tubim dhe disa u zgjodhën në kryesi.
Iniciativa për themelimin e kësaj shoqate specifike ka lindur rreth dy vite më parë. E nisur në bazë takimesh spontane në mes miqsh, ajo pastaj ka marrë gradualisht konturat e një organizimi që aktivizohej vetëm me rastin e festave kombëtare për të marrë në kuvendin themelues të mbajtur më 26 shkurt edhe karakterin formal të një shoqate.
Punimet e kuvendit të shoqatës së re, të cilat albinfo.ch i ka ndjekur nga afër, janë zhvilluar në një atmosferë miqësore por ku nuk ka munguar edhe debati dhe ballafaqimi i argumenteve në mes të pjesëmarrësve. Një “konflikt” u shënua që në fillim: a duhej të flitej shqip apo gjermanisht gjatë mbledhjes! Por ai u menaxhua me elegancë me mbizotërimin e mendimit që për shkak të kompleksitetit të terminologjisë profesionale, parimisht të zhvillohej në gjuhën gjermane dhe sipas nevojës edhe në gjuhën shqipe ose në ndonjë gjuhë tjetër.
Si njëri ndër iniciatorët, Përparim Avdili ka prezantuar arsyen për themelimin e shoqatës, mënyrën e funksionimit dhe vizionin e saj. Sidomos bartja e përvojës, njohurive të fituara në qendrën botërore të bankave, çfarë është Zvicra me Cyrihun, në vendet e prejardhjes, në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, do të jetë pikësynimi kryesor i shoqatës së re, është thënë në këtë takim nga shumica e folësve. Por, si çdo shoqatë tjetër edhe kjo do të ketë edhe funksionet e saj të zakonshme, të takimeve, këmbimit të mendimeve në mes të anëtarëve etj.
Kusht për anëtarësim në shoqatë është përkatësia shqiptare ose lidhjet e ngushta me komunitetin shqiptar këtu apo me shqiptarët në përgjithësi, është theksuar në takim duke iu referuar njërit nga nenet e statutit të shoqatës.
Më tutje nga kryesuesi është shkoqitur teksti i statutit, rreth të cilit është zhvilluar një debat i gjallë. Është kërkuar nga disa pjesëmarrës që në tekst të theksohet pavarësia e plotë nga politikat partiake “si në Zvicër ashtu dhe në vendet e prejardhjes” si dhe pavarësia ose neutraliteti në çështje të fesë, gjë që dhe është aprovuar. Rrezikimi i reputacionit të shoqatës përmes veprimeve eventuale destruktive të anëtarëve dhe si do të trajtohet ai, ka qenë një kërkesë tjetër rreth të cilës është zhvilluar po ashtu debat. Edhe kjo ka gjetur vend në përshtatjen e tekstit të statutit.
Zgjedhja e kryesisë së SAF ka rrjedhur ashtu si dhe i gjithë kuvendi themelues, pa tensione dhe në atmosferë miqësore. I vetmi “problem” këtu ka qenë ai nëse duhej një “kuotë” për femra në këtë kryesi ose jo. Duke qenë se në mesin e pjesëmarrësve ishin vetëm tri femra, asnjëra prej tyre e gatshme për të qenë pjesë e kryesisë, përbërja e kryesisë rezultoi e tëra “mashkullore”.
Anëtarët e zgjedhur të kryesisë, të gjithë me resorë të caktuar janë: Alban Nevzati, kryetar, Albert Muhadri, nënkryetar, Përparim Avdili, sekretar dhe zëdhënës, Petrit Ismaili, P&R dhe medie Ernest Ukaj financa/arkëtar, Hetem Morina dhe Ilir Dobi, kontrollues të projekteve.
albinfo.ch ka marrë prononcimet e disa nga anëtarët e kryesisë, të cilat do t`i publikojë ndërkohë.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës KQZ: Procesi i regjistrimit për votuesit në diasporë vazhdon deri më 17 maj 2026, me mijëra... -
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut -
Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit -
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit -
Gjenevë
Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten


















