Kosova

Avokati i Veselit: Sot nuk është një ditë e mirë për Kosovën

Rodney Dixon tha se mbrojtja nuk pajtohet me aktgjykimin dhe paralajmëroi se gjatë procesit, sipas tij, nuk është dëshmuar përgjegjësia penale e Kadri Veselit.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë, duke thënë se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin. “Sot nuk është një ditë e mirë për Kosovën”, deklaroi Dixon pas përfundimit të seancës, raporton albinfo.ch.

Dixon tha se mbrojtja nuk pajtohet me vendimin dhe pretendoi se gjatë procesit nuk është dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme përgjegjësia penale e Veselit.

“Jemi këtu sot për të thënë se jemi të zhgënjyer me këtë vendim. Nuk është arritur të dëshmohet ajo që është pretenduar dhe ka pasur hapësirë të konsiderueshme në provat mbi të cilat është marrë vendimi”, tha Dixon.

Ndërkohë, gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Charles Smith deklaroi se, pas shqyrtimit të provave, Kadri Veseli është shpallur fajtor për disa vepra penale.

Sipas aktgjykimit, Veseli është shpallur fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar, krim lufte të kryer kundër të paktën 385 personave; për krim lufte të keqtrajtimit mizor, kundër të paktën 49 personave; për torturë, kundër të paktën 303 personave; si dhe për vrasje të paligjshme, si krim lufte, kundër të paktën 96 personave.

Për këto vepra, Gjykata ka shqiptuar dënime të veçanta prej 10 vjetësh burgim për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, 3 vjet për krimin e luftës të keqtrajtimit mizor, 13 vjet për torturën dhe 6 vjet për vrasjen e paligjshme.

Dënimi i përgjithshëm ndaj Veselit, sipas aktgjykimit të shpallur në Hagë, është 15 vjet burgim./Albinfo.ch