Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Pierre Prosper, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj vendimit. Ai tha se ishte i “shokuar” nga rezultati dhe paralajmëroi ankimimin e vendimit. raporton albinfo.ch.
Sipas Prosperit, rezultati ishte i parapërcaktuar dhe gjykata, sipas tij, nuk e ka marrë parasysh në mënyrë të mjaftueshme qëndrimin dhe provat e paraqitura nga mbrojtja.
“Kemi pasur dëshmitarë që ishin në terren dhe ndanë eksperiencat. Ata e bënë të qartë që Thaçi nuk kishte përgjegjësi dhe që kishte komandantë rajonalë”, tha Prosper.
Ai pretendoi gjithashtu se gjykata, sipas tij, “rishkroi historinë” duke e cilësuar UÇK-në si një organizatë kriminale.
“Do ta apelojmë”, deklaroi avokati i Thaçit.
Prosper e cilësoi këtë si “ditë të zezë për drejtësinë ndërkombëtare”, duke argumentuar se vendimi mund të ketë pasoja për të ardhmen e tribunaleve ndërkombëtare.
“Fundi i tribunaleve ndërkombëtare, sepse çfarë vendi do të nënshkruante një gjykatë si kjo ku do të pranoheshin 100 për qind të atyre që i ka thënë Prokuroria dhe asgjë nga mbrojtja?”, tha ai.
Në reagimin e tij, Prosper iu referua edhe rolit të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se “ata thanë që NATO bashkëpunoi me një ndërmarrje kriminale”.
Deklaratat e avokatit përfaqësojnë qëndrimin e mbrojtjes së Thaçit pas aktgjykimit, ndërsa vendimi i Gjykatës dhe arsyetimi i tij përfundimtar janë pjesë e dokumentacionit gjyqësor të çështjes./Albinfo.ch