Lajme
Austria duhet të ashpërsojë qëndrimin ndaj Rusisë
Austria po kritikohet ashpër pasi u ka dhënë viza ligjvënësve të sanksionuar rusë për të marrë pjesë në një takim në Vjenë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.
Ky rast nxjerr në pah ekuilibrin delikat që po përpiqet të ndjekë ky vend, duke ruajtur politikën e neutralitetit ushtarak, në kushtet e agresionit rus në Ukraine. Qeveria austriake e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës, por ka theksuar gjithashtu nevojën për të ruajtur marrëdhëniet diplomatike me Moskën.
Disa agjenci të OKB-së dhe organizata ndërkombëtare, si OSBE-ja, e kanë selinë e tyre në Austri. OSBE-ja u themelua gjatë Luftës së Ftohtë si një forum për dialog mes Lindjes dhe Perëndimit. Rusia është një nga 57 vendet anëtare të organizatës me bazë në Vjenë.
Moska planifikon të dërgojë delegatë në takimin e 23-24 shkurtit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, përfshirë 15 ligjvënës rusë që janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Midis tyre janë zëvendëskryetari i Dumës, Pyotr Tolstoy dhe anëtari i Parlamentit, Leonid Slutsky.
Në një letër drejtuar kancelarit, ministrit të Jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë të Austrisë, 81 delegatë të OSBE-së nga 20 vende, përfshirë Francën, Kanadanë, Britaninë, Poloninë dhe Ukrainën, i bënë thirrje qeverisë austriake të ndalojë pjesëmarrjen e rusëve të sanksionuar.
“Është e rëndësishme të kemi parasysh se parlamentarët rusë janë një pjesë integrale e sistemit të pushtetit dhe bashkëpunëtorë në krimet që Rusia kryen çdo ditë në Ukrainë,” thuhet në letrën që ka siguruar Associated Press. “Ata nuk kanë vend në një institucion i cili synon të nxisë dialogun e sinqertë dhe është kundër luftës.”
Anëtarët amerikanë të Asamblenë Parlamentare nuk ishin mes nënshkruesve të letrës. Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, u tha gazetarëve të premten se delegatët rusë “nuk e meritojnë të udhëtojnë në vendet perëndimore”. Megjithatë, ambasadori Carpenter shtoi se “i takon qeverisë austriake të përcaktojë nëse do të japin viza apo jo.”
Zyrtarët austriakë nuk kanë bërë komente për letrën. Më 5 shkurt, ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg, mbrojti vendimin e Austrisë për të lejuar hyrjen e rusëve të sanksionuar në vend, duke argumentuar se ishte e rëndësishme të mbaheshin hapur kanalet e komunikimit me Moskën, pavarësisht “sulmit brutal rus kundër Ukrainës”.
Ministria e Jashtme austriake gjithashtu këmbënguli se si vendi ku ndodhet selia e OSBE-së në Vjenë, Austria, është ligjërisht e detyruar t’u japë viza përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse që duan të marrin pjesë në takime.
Austria, e cila u bë anëtare e Bashkimit Evropian në 1995, ka kritikuar Moskën dhe iu bashkua sanksioneve që vendosi BE-ja kundër Rusisë në përgjigje të agresionit ndaj Ukrainës. Por ndryshe nga Finlanda dhe Suedia, të cilat në maj bënë kërkesë për t’u anëtarësuar në NATO, duke braktisur politikën e mosangazhimit, Austria mbetet e përkushtuar ndaj neutralitetit ushtarak që e ka ndjekur që në vitin 1955.
Qeveria austriake ka dërguar ndihma humanitare në Ukrainë, por jo armë. Kancelari Karl Nehammer mbetet udhëheqësi i vetëm i një vendi të BE-së që ka takuar presidentin rus Vladimir Putin ballë për ballë pas fillimit të luftës. Ai shkoi në Moskë në prill 2022 në një përpjekje të pasuksesshme për të bindur udhëheqësin rus që t’i jepte fund agresionit.
Mbështetja për politikën e neutralitetit mbetet e fortë në publikun dhe strukturat politike të Austrisë./AP
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”












