Lajme

Ata që e bënë vitin 2022 në Albinfo.ch

Albinfo.ch gjatë vitit 2022 nuk ka reshtur së shkruari për personalitetet nga diaspora, nga të gjitha vendet e botës, me theks të veçantë për ato të Zvicrës.

Kësaj radhe, revista Albinfo.ch ka bërë një përmbledhje të disa prej personaliteteve të shumta krijuese që ishin në top tema për vitin 2022.

Tedi Papavrami, mjeshtri i violinës, një personalitet krijues me suksese të mëdha botërore, i cili ndau ekskluzivisht përvojat e tij në revistën Albinfo.ch.

Ai është violinist profesionist me famë botërore, profesor i  shquar në Universitetin “The Geneva Haute école de musique”  (frëngjisht: ”Haute école de musique de Genève HEM”), një institucion i arsimit të lartë muzikor në Gjenevë të Zvicrës.

Tedi është edhe përkthyes i veprave më në zë të shkrimtarit  shqiptar, Ismail Kadare, në gjuhën frënge dhe autor i librit  “Fugue pour violon seul” (shqip, ”Fugë për violinë”).

 

Aida Birinxhiku, 23-vjeçarja shqiptare, e cila ka nisur tashmë zyrtarisht punën e saj si deputetetja më e re në Parlamentin e Suedisë për vitin 2022.

Ajo ka vite që është aktive në skenën politike të Suedisë në shumë aktivitete.

Ajo shkëlqeu në fushatën elektorale që u mbajt muaj më parë në Suedi, duke qenë një nga kandidatet në 5-shen e parë të Partisë Socialdemokrate.

Aida Birinxhikaj, Adnan Dibrani ishin dy shqiptarët e rinj me prejardhje nga Kosova, të suksesshëm në politikën suedeze, që sot gëzojnë dy ulse në Parlamentin suedez për vitin 2022.

Tringa Berisha, 26-vjeçarja shqiptare, Antropologe me Doktoraturë për Antropologji Pedagogjike në Universitetin “Danish School of Education”, një ndër universitetet më në zë në botë,

Ajo është studente briliante në shtetin danez dhe ka “rrëmbyer” titullin “Bachelor” dhe “Master” me afat rekord për Antropologji  dhe Komunikim në Degën ndërkombëtare. Po ashtu është autore e dy punimeve shkencore që tashmë janë botuar në gazetat e  studimeve antropologe.

Tringa jep mësim për studentët e masterit në Universitetin “Danish School of Education”

Megan Latifaj, kampione shqiptare e shumëfishtë e tenisit, në Gjermani.

12-vjeçarja shqiptare, së fundmi “rrëmbeu” çmimin e parë si kampione në landin Nordrhein Westfalen (Westfälische Jugendmeisterschaften U12) në Gjermani. Përveç këtij çmimi, ajo në fakt para pak ditësh u rendit e para edhe në “NRW Championships 2022, U12”.

Megan ka fituar shumë trofe dhe kupa në gjithë Gjermaninë, është shpallur edhe kampione e qytetit të Bochumit. Ajo ka marrë  pjesë në shumë turne për sportin e tenisit dhe ka dalë fituese duke u dekoruar me çmimet e para në mbi 20 turne

Lirigzona Zeqiri-Rullani prej vitesh ushtron profesionin e doganierës në Zvicër dhe tani pa dyshim është një ndër emrat më të suksesshëm në Doganën e Zvicrës “BAZG”.

Ka plot 13 vjet që Lirigzona punon në këtë kompani, në Zonën Operative, sidomos në Kontrollet e Jashtme, për Shërbimet e  Lëvizshmërisë Doganore.

Që kur ishte 3 vjeçe Lirigzona migroi së bashku me familje nga Gjilani në Zvicër, për një jetë më të mirë. Shkollimet i përfundoi në  Zvicër. Ndërsa shkollën për doganë e kreu për tre vjet. Është mësuese “Shefe e shërbimit”, “Eksperte Doganiere e Diplomuar”, përfundoi shkollën e lartë të Doganës “HF” dhe njëkohësisht punon si “Zëvendësshefe në BAZG”.

Shpëtim Bajrami, i riu shqiptar tashmë është doktor shkence në shtetin e Gjermanisë.

I lindur në Kosovë dhe i shkolluar në Gjermani, Dr. Shpëtim Bajrami i shtohet drejtësisë gjermane si një kuadër i ri me rrënjë  shqiptare. Ai ka studiuar drejtësi në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf.

Shpetimi përfundoi dy studime kërkimore si pjesë e projektit të doktoraturës, një në qendrën “Lauterpacht “për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit dhe tjetra në Institutin Universitar Evropian në Firence.

Teuta Hyseni është inxhiniere e sigurisë kibernetike në kompaninë e teknologjisë, Microsoft.

E lindur dhe rritur në Gjilan, tashmë Teuta është storje suksesi në San Francisko të SHBA-së, ka diplomuar në Universitetin Luterian të Teksasit, dhjetor 2011, për drejtimin Matematikë e Fizikë dhe Inxhinieri.

Në nëntor të vitit 2017, Teuta nisi punën si inxhiniere e sigurisë kibernetike në kompaninë e teknologjisë, Microsoft, ku tani shërben  edhe si mentore për inxhinierët e rinj në atë departament

Edona Aliu nga Cyrihu është modelja, e cila ka fituar kurorën e më të bukurës “Miss Grand Kosova 2022” dhe ishte konkurrentja  favorite për “Miss International World” për më të bukurën e botës në garat internacionale, “Miss International World”.

Ajo po ecën me hapa të sigurt në fushën e modelimit dhe po tregohet e suksesshme në këtë fushë si në Zvicër, ashtu edhe në  Kosovë.

Edona është një fytyrë e re e modës, që në vete bart elegancë të plotë, fal pamjes së saj dhe stilit të veçantë të veshjes dhe jo vetëm, ajo është edhe organizatore eventesh për banka të ndryshme të Zvicrës.