Lajme
Arkitekti Dr. Kushtrim Riza, autor i projekteve me renome në Austri
Arkitekti Dr. Kushtrim Riza, me zyrën e tij "Dr. RIZA Architekten ZT GmbH", është MSc projektues dhe menaxhues i shumë projekteve me renome në Austri
Kushtrim Riza, arkitekti shqiptar me prejardhje nga komuna e Sharrit në Kosovë, ka ndjekur një rrugë të suksesshme në fushën e arkitekturës në Austri. Fillimisht, ai na flet për prejardhjen e tij dhe rrethanat që çuan familjen e tij drejt emigracionit si dhe për sfidat e vështirësitë si arkitekt në Vjenë. Që nga fillimi i emigracionit në vitin 2005 Riza ka qenë i përfshirë në jetën kulturore dhe shoqërore të Austri, duke shërbyer si një shembull i arritjeve për diasporën shqiptare.
Gjyshërit e Kushtrim Rizës kishin emigruar nga Dragashi në Austri qysh në vitet `70, kjo për shkak të kushteve dhe rrethanave të vështira ato kohë. Kushtrimi për albinfo.at ka treguar se ai pas mbarimit të gjimnazit në Dragash, ishte përkushtuar maksimalisht për t´u përgatitur për të ardhmen e tij. Ai kishte vendosur që studimet t`i vazhdonte në Universitetin Teknik të Vjenës, në drejtimin e Arkitekturës.
Studimet në Vjenë, eksperienca 15-vjeçare në arkitekturë
Kushtrim Riza ka përfunduar jo vetëm nivelin master, por edhe doktoratën në arkitekturë. Për shkak të përkushtimit të tij në shkollim të lartë, ai kishte përfunduar të dy nivelet në një afat prej pesë vjetësh.
Ajo që e veçoi absolvimin e tij, ishte tema e diplomës në master, për të cilin kishte propozuar një projekt për Kalanë e Prizrenit, në Kosovë.
“Për temën e diplomimit në master kam propozuar një projekt për Kalanë e Prizrenit, i cili përfshin një objekt të një Qendre Kulturore brenda kësaj kalaje dhe po ashtu hapësira shtesë, të cilat do të përdoreshin për turizëm dhe mbrojtjen e trashëgimisë së qytetit historik. Si pjesë qendrore e këtij projekti ka qenë edhe një lift ose gondolë panoramike (Drahtseilbahn), i cili do të lidhte hapësirat e jashtme të Lidhjes së Prizrenit me kalanë e qytetit, duke u bërë kështu një atraksion kryesor për vetë qytetin e Prizrenit”, sqaron ai.
Kurse, për temën e doktoratës ai kishte hulumtuar se si shtetet në tranzicion duhet të implementonin standardet austriake të arkitekturës dhe ndërtimit.
Kushtrimi gjatë karrierës së tij ka punuar për mbi 15 vjet në zyra të njohura dhe me renome në Vjenë dhe Austri. Ai ka projektuar dhe menaxhuar projekte të kategorive të ndryshme, duke filluar nga vila luksoze, ndërtesa banesore, hotele, objekte të komunës dhe shumë projekte të tjera.
“Nga këto, mund të veçoj punën në zyrën e Arkitekturës Halbritter&Hillerbrand dhe projektet “Gemeindeamt Kobersdorf” si dhe hotelin “Seehaus Weiden” pranë Liqenit “Neusidler See” në zonën e mbrojtur të UNESCO”, shton ai.
Pse nuk u implementua projekti për Kalanë e Prizrenit?
Kushtrimi, projektin për Kalanë e Prizrenit e kishte punuar duke besuar se do të gjente mbështetjen nga institucionet në Kosovë. Edhe pse kishte dëshirë që të bënte diçka të mirë për të mbrojtur trashëgiminë e vendit, ai u zhgënjye.
“Pas mbrojtjes së temës në Universitetin Teknik në Vjenë, projektin e Kalasë e prezantova edhe në Kosovë, para përfaqësuesve të politikës dhe institucioneve të ndryshme. Qëllimi kryesor ishte të sensibilizohej opinioni dhe të krijohej një atmosferë e përshtatshme, duke shpjeguar pse duhet të mbrohet trashëgimia kulturore dhe si kjo ndërhyrje influencon drejtpërdrejt zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, duke treguar gjithashtu se çfarë përfitime të tjera sjell ky projekt për qytetin e Prizrenit. Unë vazhdoj të besoj se projekti i Kalasë duhet të jetë prioriteti numër 1 për politikat zhvillimore të Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë përkatëse ne Kosovë”, ka thënë ai.
Tutje, Kushtrimi sqaron se si projekti i tij u shfrytëzua nga politikanët në Kosovë. Megjithatë, ai vazhdon të besojë se ky projekt duhet të jetësohet.
“Projekti i Kalasë është shfrytëzuar nga individë dhe grupe të ndryshme politike për interesa klanore dhe politike. Megjithatë, për fat të keq, deri më tani ende nuk kam hasur mbështetje ose bashkëpunim nga institucionet përgjegjëse në këtë drejtim. Projekti i Kalasë së Prizrenit, ashtu siç është propozuar nga unë para më shumë se 10 vjetësh, mendoj se mbetet akoma vizionar dhe i domosdoshëm për qytetin e Prizrenit. Ky projekt përmbush kriteret e intervenimeve në monumente historike, dhe për këtë projekt kam marrë vlerësime të larta nga arkitektë dhe profesorë nga Vjena, të cilët janë ekspertë në këtë fushë”, thotë Kushtrimi.
“Dr. RIZA Architekten ZT GmbH”, zyra juaj e arkitekturës moderne
Dr. Kushtrim Riza ka dy vjet që ka hapur zyrën e tij të arkitekturës në Vjenë “Dr. RIZA Architekten ZT GmbH”.
Ai për albinfo.at ka sqaruar në detaje se me cilat projekte saktësisht merret zyra e tij. “Përvoja e gjatë nëpër projekte të kategorive të ndryshme ka bërë që ne, si zyrë, të ofrojmë shërbime të shumta në projektim dhe arkitekturë. Shumica e projekteve që jemi duke i përpunuar aktualisht në zyrë kanë të bëjnë me marrjen e lejes së ndërtimit në Vjenë. Gjithashtu, kemi projekte në të cilat jemi të përfshirë si ekspert me ekspertiza të ndryshme për procese gjyqësore në fushën e ndërtimit dhe projektimit. Po ashtu, kemi projekte në zhvillim për individë nga diaspora jonë, të cilët vazhdimisht ndërtojnë ose realizojnë projekte në vendlindje. Shumë krenar më bën edhe fakti se nga klientët, të cilët në këtë kohë të shkurtër na kanë besuar projektimin e shtëpive të tyre, janë edhe futbollistë nga liga e parë e futbollit të Austrisë. Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me kompani të tjera, kemi një numër të lartë të ndërmarrjeve nga fusha e ndërtimit dhe projektimit, me të cilat bashkëpunojmë. Ky numër vjen dhe rritet gjithmonë”, tregon Kushtrimi.
Ai thotë se deri më tani kanë pasur klientë shumë të kënaqur, e që i kanë rekomanduar shërbimet e tyre tek të tjerët.
Kur bëhet fjalë për të ndjekur trendin, Kushtrimi na tregon se çka po kërkohet së fundmi. “Mendoj se zhvillimet e fundit në arkitekturë dhe ndërtim kanë filluar të marrin për bazë natyrën dhe gjithçka që lidhet me ambientin. Fillojmë nga format, përdorimi i materialeve, ngjyrave, teksturave, organizimi etj., shton ai.
Planet e “Dr. RIZA Architekten ZT GmbH” për 2024
Kur flet rreth planeve të tij, Kushtrim Riza është mjaft i qartë.
“Jemi në biseda me zyra të tjera të arkitekturës për të bashkëpunuar dhe për të aplikuar së bashku në konkurse arkitektonike në Vjenë dhe Austri. Gjithashtu, po zhvillojmë biseda me investitorë dhe kompani austriake, të cilët janë të interesuar për të zgjeruar dhe rritur veprimtarinë e tyre në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Një qëllim tjetër është të forcojmë më shumë bashkëpunimin me ndërmarrjet në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit në Kosovë dhe të shfrytëzojmë potencialin e ndërsjellë”, pohon ai.
Projektet e “Dr. RIZA Architekten ZT GmbH” janë të kërkuara edhe nga komuniteti shqiptar, nga i cili Kushtrimi merr edhe rekomandime të larta. Ai ka treguar se rreth 20% të klientëve i ka shqiptarë.
B O X
“Kur ka besueshmëri dhe respekt reciprok mes nesh dhe klientit, suksesi është i garantuar”
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Madrid: 12 veçarja shqiptare në prag të përfaqësimit të Shqipërisë “Junior Fest Albania 2024” përfundoi në shtator në Tiranë me kurorëzimin e Nikol Çabelit fituese të...
-
Kurti e Gërvalla takohen me mërgimtarët në Gjermani
-
Frankfurt: Piktori shqiptar hap ekspozitën e artit pamor me titull “Art Open Call”
-
Nju-Jork: Shqiptarja shpallet “Miss Liberty 2025”
-
Arti diplomatik i Shuk Oranit: Një iniciativë kulturore me strategji ndërkombëtare
Jeta në Austri
-
A mund të udhëtoni jashtë vendit ose të takoni miq kur jeni në pushim mjekësor në Austri? Nëse jeni me pushim mjekësor me pagesë në Austri, çfarë mund të bëni në të vërtetë?...
-
Si mund të shihni një kometë ‘një herë në jetë’ në qiellin mbi Austri këtë fundjavë
-
Austria, vendi më miqësor në Evropë, thonë turistët
-
Aeroportet në Austri renditen ndër më të mirat për uljet me avion privat
-
Obeziteti i kushton Austrisë 2.4 miliardë euro në vit