Në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës, Argjentina dhe Zvicra do të përballen në Kansas City në çerekfinalen e fundit të Kupës së Botës 2026, transmeton albinfo.ch.
Sfida do të zhvillohet në “Arrowhead Stadium”, i cili konsiderohet stadiumi më i zhurmshëm në botë, falë atmosferës së jashtëzakonshme që krijojnë tifozët, shkruan mediumi zviceran 20 Minuten.
Arkitektura e stadiumit, me tribunat e pjerrëta, bën që zhurma të përqendrohet brenda arenës, duke e amplifikuar edhe më shumë entuziazmin e tifozëve. Rekordi i zhurmës në këtë stadium u vendos në vitin 2014, kur arriti në 140 decibelë, një nivel i krahasueshëm me zhurmën e një motori reaktiv gjatë ngritjes.
“Arrowhead Stadium” është shtëpia e skuadrës së futbollit amerikan Kansas City Chiefs, një nga ekipet më të njohura të NFL-së.
Atmosfera në këtë arenë është aq intensive, saqë lojtarët në fushë shpesh e kanë të vështirë të komunikojnë mes vete për shkak të zhurmës së madhe që vjen nga tribunat.
Sipas raportimeve, një nivel i tillë i atmosferës është i rrallë edhe për standardet evropiane, madje tejkalon atë që përjetohet në stadiume të njohura për tifozërinë e zjarrtë, si ato në Dortmund apo Glasgow./Albinfo.ch