Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri po përmbyll mandatin e saj katërvjeçar në vend, duke zhvilluar gjatë kësaj jave një sërë takimesh lamtumire me udhëheqësit më të lartë të shtetit shqiptar, transmeton albinfo.ch.
Në kuadër të këtyre takimeve, ajo u prit nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, si dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Sipas Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, takimet pasqyruan partneritetin e ngushtë ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, duke shërbyer njëherazi si mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Me rastin e përfundimit të mandatit të saj, ambasadorja shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin, miqësinë dhe arritjet e përbashkëta që, sipas saj, kanë kontribuar në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë katër viteve të shërbimit diplomatik.
Zvicra dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi në fusha të ndryshme, përfshirë zhvillimin, ekonominë, arsimin dhe qeverisjen, ndërsa partneriteti mes dy vendeve konsiderohet një nga më të rëndësishmit në rajon./Albinfo.ch