Lajme

Aeroporti i Cyrihut sqaron rregullat: Shishet termike duhet të jenë bosh gjatë kontrollit të sigurisë

Edhe pse tashmë lejohen deri në dy litra lëngje në bagazhin e dorës, shishet e izoluara dhe termosët nuk mund të kalojnë në kontroll nëse përmbajnë lëngje.

Pas vendosjes së skanerëve të rinj CT në Aeroportin e Cyrihut në fund të muajit qershor, udhëtarët mund të marrin në bagazhin e dorës shishe me deri në dy litra lëngje, pa pasur nevojë t’i nxjerrin gjatë kontrollit të sigurisë, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, rregulli nuk vlen për të gjitha llojet e enëve. Aeroporti ka sqaruar se shishet termike dhe termosët duhet të jenë plotësisht bosh përpara se të kalojnë në kontrollin e sigurisë.

Ky kufizim ka shkaktuar ankesa nga shumë pasagjerë, pasi edhe lëngjet si qumështi për foshnja apo formulat ushqimore duhet të zbrazen nga këto enë para kontrollit.

Sipas Aeroportit të Cyrihut, kjo praktikë është në përputhje me kërkesat e Zyrës Federale të Aviacionit Civil të Zvicrës (FOCA) dhe rregulloret në fuqi të Bashkimit Evropian.

Autoritetet aeroportuale theksojnë se, ndonëse teknologjia e re ka lehtësuar transportimin e lëngjeve në bagazhin e dorës, kufizimet për shishet e izoluara mbeten në fuqi për arsye sigurie. /Albinfo.ch