Kosova

Abdixhiku: Ka afrime me Vetëvendosjen, por jo për presidentin

Kreu i LDK-së thotë se bisedimet do të vazhdojnë, ndërsa synimi mbetet shmangia e zgjedhjeve të reja.

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja po vazhdojnë, duke theksuar se është arritur afrim në disa çështje, por jo ende në temën kryesore, atë të presidentit, transmeton albinfo.ch

Abdixhiku tha se qëllimi i të dyja palëve është shmangia e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, do t’i shkaktonin dëm vendit.

“Po përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja. Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se takimet mes dy subjekteve politike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Do të jem në takime të vazhdueshme. Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye të mos konstituohet. Meqë po takohemi, është shenjë e mirë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, zyrtarë të LDK-së kanë përsëritur qëndrimin e partisë se posti i presidentit mbetet një nga kushtet kryesore në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve të reja. /Albinfo.ch