Kosova
A po shkon Greqia drejt njohjes së Kosovës?
Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pranuar ftesën e Greqisë që zyrtarisht ta vizitojë këtë shtet, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga MPJD-ja. Nga kjo ministri thanë se Gërvalla me kënaqësi do t’i përgjigjet kësaj ftese, por nuk treguan se kur mund të ndodhë kjo vizitë, përcjell Albinfo.ch.
Ftesa për vizën e Gërvallës në Athinën zyrtare u bë përmes udhëheqëses së Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Chryssoula Aliferi, gjatë një takimi që ajo pati më 15 prill, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë takim Kurti ka kërkuar nga Aliferi që Greqia t’u bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por sipas qëndrimit të Athinës zyrtare, që është publikuar edhe në faqen e Zyrës ndërlidhëse në Prishtinë, çështja e njohjes varet nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova, e interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Greqinë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës deklaron se Prishtina dhe Athina zyrtare tashmë kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe shton se “Kosova është shumë e interesuar në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Greqinë”.
“Kosova është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe në mënyrë që ky bashkëpunim të rezultojë me njohje nga Greqia, si një shtet i rëndësishëm për ne në BE dhe në rajon”, tha MPJD-ja në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
MPJD-ja po ashtu tha se Kosova është optimiste për këtë çështje, duke pasur parasysh fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.
“Për më tepër, ne jemi duke punuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, kulturës, por edhe në fusha të tjera, që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, tha ministria.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën ndërlidhëse greke në Prishtinë nëse Athina zyrtare ka ndryshuar pozicionin e saj karshi statusit të Kosovës.
Por, deri në publikimin e këtij teksti, nga kjo zyrë nuk janë përgjigjur.
Në faqen në internet të Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë thuhet se “politika greke frymëzohet nga një vullnet i sinqertë për të ndërtuar një mjedis paqeje dhe prosperiteti për të gjithë popujt në rajon, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.
Ndërkaq, sa i përket qëndrimit politik të Greqisë ndaj Kosovës, thuhet se “ne mbështesim plotësisht dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e BE-së, proces ky që i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme kursit evropian të të dyja vendeve”, duke përfunduar se këtë kurs, Greqia e promovon për Ballkanin Perëndimor në tërësi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk ka treguar saktë nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin ndonjë hap konkret për të bindur pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.
Sa u përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Athinës zyrtare, Kryeziu theksoi se Greqia ka mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe mbështet vendimin për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Ne besojmë se kjo qasje miqësore duhet të rezultojë në bashkëngjitjen e Greqisë me shtetet e tjera të BE-së që e kanë njohur Kosovën”, tha Kryeziu.
E-Diaspora
-
Shkëlqimi shqiptar dhe eleganca e kohëve të shkuara në ekspozitën e Kristian Zefit Në këtë ekspozitë, në Rothrist (Aargau) do të paraqiten instrumenta tradicionale, artefakte etnografike dhe kostume të...
-
Arrestohen këngëtarët shqiptarë në një “Bajram party”, në Zvicër
-
Shtetasja zvicerane arrestohet në Viti për shkak të kërcënimeve
-
SH.K.A “Dardania” përfaqëson Shqipërinë e Kosovën në Festivalin në Winterthur
-
Adoleshenti kosovar, i dyshuar për ISIS, e quan veten “Bombarduesi”
Jeta në Austri
-
LDK-ja në Austri organizon takim në mbështetje të Lukas Mandl, merr pjesë edhe kryetari Lumir Abdixhiku Lidhja Demokratike e Kosovës organizon takim informues me Eurodeputetin Lukas Mandi, kandidat në zgjedhjet EU2024 që...
-
Pas ndalimit në Serbi linjat e autobuseve Austri – Kosovë vazhdojnë rrugëtimin pa pengesa
-
Lukas Mandl kërkon votën e shqiptarëve në Austri
-
Kapet pas disa vitesh vjedhësi serik shqiptar, “e tradhtojnë” këpucët
-
Dy të vdekur nga orteku në Austri