Skip to content

Nikollë Ukaj vlerësohet në Nju-Jork, merr titullin “Ambasador i Paqes”

Në një gala mbrëmje në selinë e Kombeve të Bashkuara, shqiptari Nikollë Ukaj u certifikua për përfundimin e një masterklase në diplomaci parandaluese dhe lidership ekzekutiv, si dhe u nderua për angazhimin në ndërtimin e paqes dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

 

Nikollë Ukaj ka marrë disa vlerësime në kuadër të gala mbrëmjes “Humanitarian Platinum Leadership Awards 2026”, të organizuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, transmeton albinfo.ch.

Gjatë këtij aktiviteti, Ukaj u certifikua për përfundimin e masterklasës intensive në Diplomaci Parandaluese dhe Lidership Ekzekutiv, të organizuar nga Instituti i Politikave Publike dhe Kërkimeve Diplomatike (IPPDR). Në kuadër të këtij programi, ai mori edhe njohjen “Peace Practitioner”, si dhe emërtimin “Ambasador i Paqes”, të dhënë nga ky institut.

Një tjetër vlerësim për Ukajn ishte certifikata e mirënjohjes dhe proklamata në nder të tij, të cilat iu ndanë nga senatori i shtetit të Nju-Jorkut, Kevin S. Parker. Këto vlerësime lidhen me angazhimin e tij në lidershipin rinor, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përmes një reagimi publik, Ukaj i cilësoi këto vlerësime si motivim për të vazhduar angazhimin në shërbim të komunitetit, duke vënë theksin te dialogu, paqja dhe bashkëpunimi mes njerëzve e institucioneve.

Ai shprehu mirënjohje për Institutin IPPDR, Dr. Andrise Bass dhe senatorin Kevin S. Parker për besimin dhe vlerësimin e marrë.

Vlerësimet e marra në këtë aktivitet shënojnë një moment të rëndësishëm në angazhimin e Nikollë Ukajt në fushën e lidershipit, diplomacisë dhe promovimit të paqes./Albinfo.ch