Ka përfunduar numërimi i votave për katër propozimet federale të hedhura në votim më 29 nëntor në Zvicër. Qytetarët miratuan dy propozime dhe refuzuan dy të tjera, përcjell albinfo.ch.
Ndryshimet në Ligjin për Materialet e Luftës u miratuan me 54,3 për qind të votave. Ato parashikojnë lehtësimin e eksporteve drejt 36 vendeve partnere perëndimore, duke lejuar furnizime në kushte të caktuara edhe kur këto vende janë të përfshira në konflikte të armatosura.
Propozimi për financimin shtesë të pensionit të 13-të përmes rritjes së TVSH-së u refuzua me 55,2 për qind të votave. Ai parashikonte rritjen e normës standarde nga 8,1 në 8,5 për qind.
Ky rezultat nuk e anulon pensionin e 13-të. Pagesa e parë do të bëhet në fund të vitit 2026, pavarësisht refuzimit të mënyrës së propozuar të financimit.
Nisma për kufizimin e shitjes dhe përdorimit të fishekzjarrëve të zhurmshëm u miratua me 59,8 për qind të votave. Ajo parashikon mundësi përjashtimi për manifestime me rëndësi përtej nivelit rajonal, me leje nga kantonet. Kufizimet nuk zbatohen menjëherë, pasi hollësitë duhet të përcaktohen në legjislacion.
Ndërkaq, nisma për eliminimin e disavantazhit tatimor të çifteve të martuara u refuzua me 58,9 për qind të votave. Propozimi i Partisë së Qendrës kërkonte ruajtjen e deklarimit të përbashkët tatimor, duke garantuar që çiftet e martuara të mos trajtoheshin më pafavorshëm se çiftet e pamartuara me kushte të krahasueshme financiare. /Albinfo.ch