Të rinjtë nga mosha 14-vjeçare do të kenë më shumë mundësi për të ndikuar në politikën lokale të Lucernit. Në votimin e sotëm, qytetarët miratuan me 58,6 për qind të votave ndryshimin që u mundëson adoleshentëve të nënshkruajnë kërkesa qytetare drejtuar parlamentit të qytetit, përcjell albinfo.ch.
Deri tani, mosha minimale për përdorimin e këtij instrumenti ishte 18 vjeç. Nga pranvera e vitit 2027, këtë të drejtë do ta kenë edhe të rinjtë e moshës 14 deri në 17 vjeç që plotësojnë kushtet e vendbanimit dhe shtetësisë ose të lejes së qëndrimit.
Kërkesat mund të nënshkruhen nga banorët me shtetësi zvicerane dhe nga banorët e huaj me leje qëndrimi C. Për ta paraqitur një çështje në parlamentin e qytetit nevojiten të paktën 200 nënshkrime.
Ky instrument u mundëson banorëve të kërkojnë trajtimin e çështjeve që lidhen me jetën e përditshme në qytet. Ndryshimi zgjeron pjesëmarrjen e të rinjve, por nuk u jep atyre të drejtën e votës në zgjedhje dhe referendume.
Propozimi e ka zanafillën në një mocion të Partisë Socialdemokrate. Nga partitë politike, vetëm Partia Popullore Zvicerane (SVP) e kundërshtoi, duke e konsideruar moshën 14-vjeçare shumë të hershme për këtë formë pjesëmarrjeje. /Albinfo.ch