Skip to content

Zvicra drejt ndalimit të fishekzjarrëve të zhurmshëm, shumica e votuesve thotë “po”

Das 1. Augustfeuerwerk vor der Kulisse des Bundeshauses und des Muensters, aufgenommen am Sonntag, 1. August 2004, in Bern. (KEYSTONE/Lukas Lehmann)

Projeksionet e votimit të sotëm tregojnë rreth 60 për qind mbështetje për nismën, e cila ka siguruar edhe shumicën e kantoneve. Kufizimet nuk do të zbatohen menjëherë.

Zvicra po shkon drejt ndalimit të shitjes dhe përdorimit të fishekzjarrëve të zhurmshëm. Sipas projeksioneve të transmetuesit publik SRG për votimin e sotëm, rreth 60 për qind e votuesve e mbështesin nismën, ndërsa 40 për qind e kundërshtojnë, përcjell albinfo.ch.

Nisma ka siguruar edhe shumicën e kantoneve, një kusht i domosdoshëm për miratimin e saj. Përqindjet mbeten projeksione, me një marzh gabimi prej dy pikësh përqindjeje.

Propozimi parashikon përjashtime për manifestime me rëndësi përtej nivelit rajonal, për të cilat kantonet do të mund të japin leje të veçanta. Megjithatë, këto leje nuk do t’u mundësonin individëve të përdornin vetë fishekzjarrë të zhurmshëm gjatë manifestimeve.

Sipas nismëtarëve, mjete që prodhojnë më pak zhurmë, si dritat bengale dhe fontanat piroteknike, do të mund të vazhdojnë të përdoren.

Parlamenti dhe Këshilli Federal do të kenë dy vjet për të përcaktuar hollësitë e zbatimit, përfshirë cilat mjete do të konsiderohen të zhurmshme dhe cilat ngjarje mund të përjashtohen. Prandaj, votimi nuk nënkupton ndalim të menjëhershëm të të gjithë fishekzjarrëve. /Albinfo.ch