Flamujt valëviten më bukur në majat e maleve. Në këtë 28 Nëntor, kur shqiptarët kremtojnë 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, rikujtojmë një nga pamjet më domethënëse të krenarisë sonë kombëtare: flamurin kuqezi dhe atë të Kosovës, të ngritur nga Uta Ibrahimi në majat më të larta të botës.
Alpinistja nga Gjilani, shqiptarja e parë që ngjiti të 14 majat mbi 8 mijë metra, i bëri të dy flamujt pjesë të rrugëtimit të saj historik në Himalaje. Everestin e ngjiti dy herë, herën e dytë si udhërrëfyese e ekspeditës. Sot, në Ditën e Flamurit, ato pamje marrin një domethënie të veçantë.
Në tetor të vitit 2025, para publikut shqiptar në Bernë, Uta tregoi se flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës i kishte mbajtur në secilën prej 14 majave. “Ky ka qenë motivi im më i madh: të bëj diçka për vendin tim”, tha ajo.
Rrugëtimi që nisi në Everest përfundoi më 10 maj 2025 në Kangchenjunga, majën e tretë më të lartë të botës. Pas gati tetë vjetësh, Ibrahimi përmbylli projektin “Utalaya 14×8000” dhe u bë shqiptarja e parë që arriti në të 14 majat mbi 8 mijë metra. Regjistri i specializuar 8000ers.com e rendit mes alpinistëve që kanë arritur pikën më të lartë të secilës prej tyre.
Në Everest për herë të dytë, këtë herë si udhërrëfyese
Më 18 maj 2026, Uta mbërriti sërish në Everest, këtë herë si udhërrëfyese e ekspeditës. Në majë u valëvitën përsëri flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës. Pas ngjitjes, ajo foli për përgjegjësinë që kishte marrë për sigurinë e ekipit në kushte ekstreme.
Në vitin 2026, publiku ndërkombëtar e pa Utën në fushatën “THIS IS HIMALAYAN” të BLACKYAK. Pamjet e xhiruara në Himalaje, mes dëborës dhe me maskë oksigjeni, tregojnë kushtet në të cilat ajo punon dhe atë pjesë të ngjitjes që rrallë shihet në fotografinë nga maja.
Këtë 28 Nëntor, kemi arsye të krenohemi me të dyja ngjitjet. Herën e parë, qika jonë hyri në historinë e alpinizmit shqiptar. Nëntë vjet më vonë, u kthye për t’i udhëhequr edhe të tjerët deri në majë. Dhe të dyja herët, mbi borën e Everestit, u valëvit shqiponja dykrenare.
“Unë nuk u ngjita vetëm për të parë botën nga lart. U ngjita që ta bëj botën të shohë prej nga vij.”
Gëzuar Pavarësinë dhe gëzuar festën, kudo që jeni!
Luljeta Ademi – Albinfo.ch