Qeveria zvicerane ka vendosur të lejojë tërheqjen e sasive shtesë të kerozinës nga rezervat e detyrueshme shtetërore, me qëllim garantimin e furnizimit të aeroporteve dhe shmangien e mungesës së karburantit.
Problemet në rafineritë jashtë vendit, ndërprerjet në transportin hekurudhor në Gjermani dhe pengesat në tubacionin e furnizimit në Francë kanë ngadalësuar dërgesat e karburantit drejt aeroporteve zvicerane.
Duke qenë se rezervat në depot e aeroporteve kanë rënë në nivele të ulëta dhe gjatë muajit dhjetor pritet rritje e kërkesës, autoritetet federale kanë vendosur që nga 30 nëntori të lejojnë tërheqjen e sasive shtesë të kerozinës nga rezervat e detyrueshme.
Deri më tani, përmes autorizimeve të përkohshme emergjente, nga mesi i tetorit deri në fund të nëntorit janë tërhequr rreth 18 për qind e rezervave.
Departamenti Federal i Ekonomisë, Arsimit dhe Kërkimit ka krijuar bazën e nevojshme ligjore për zbatimin e kësaj mase.
Kompanitë që plotësojnë kushtet mund t’i paraqesin kërkesat e tyre pranë autoriteteve përgjegjëse për energjinë, duke filluar nga 30 nëntori.
Tërheqja e rezervave do t’i nënshtrohet rregullave të rrepta të dokumentimit dhe raportimit. Sasitë e siguruara përmes këtij mekanizmi nuk mund të eksportohen.
Delegati përgjegjës mund të autorizojë në mënyrë të pavarur lirimin e deri në 20 për qind të rezervave. Për tërheqjet që tejkalojnë këtë kufi kërkohet një vendim formal i autoriteteve federale.
Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e qëndrueshëm të situatës së furnizimit.