Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim të ngarkuarin me punë të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral, përcjell albinfo.ch.
Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka ofruar Kosovës ndër vite, duke vlerësuar kontributin e këtij shteti në zhvillimin e vendit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua kornizës së re të bashkëpunimit financiar, përmes së cilës Luksemburgu do ta mbështesë Kosovën me 50 milionë euro për periudhën 2026–2030.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula ka vlerësuar se kjo mbështetje dëshmon përkushtimin afatgjatë të Luksemburgut ndaj Kosovës dhe besimin në potencialin e saj zhvillimor.
Në takim është diskutuar gjithashtu për mbështetjen e Luksemburgut në avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës, si dhe për aspiratën e vendit për anëtarësim në NATO./Albinfo.ch