Shitjet e akullores në Zvicër janë rritur ndjeshëm gjatë verës së këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vetëm nga korriku deri në shtator janë shitur afro 17 milionë litra akullore.
Zvicra ka konsumuar dukshëm më shumë akullore gjatë verës së vitit 2026, krahasuar me vitin e kaluar. Rritja është vërejtur si në shitjet për konsum në shtëpi, ashtu edhe në sektorin e gastronomisë.
Sipas të dhënave të publikuara të hënën nga shoqata e industrisë së akullores, Glacesuisse, shitjet në tremujorin e tretë të vitit, nga korriku deri në shtator, janë rritur për rreth 17 për qind, duke arritur në afro 17 milionë litra.
Ndërkaq, nga janari deri në fund të shtatorit, në Zvicër janë konsumuar mbi 42 milionë litra akullore. Kjo paraqet një rritje prej rreth 3 milionë litrash krahasuar me nëntëmujorin e njëjtë të vitit të kaluar.
Rritja më e theksuar është regjistruar te akulloret për konsum gjatë lëvizjes, shitjet e të cilave janë shtuar për gati një të katërtën gjatë verës, duke arritur në afro 4 milionë litra. Kërkesa është rritur veçanërisht për akulloret në shkop dhe ato në gota, ndërsa edhe akulloret në kornetë kanë shënuar shitje dukshëm më të larta.
Pjesa më e madhe e konsumit, rreth 27 milionë litra, i përket akullores së blerë për konsum në shtëpi gjatë periudhës janar-shtator. Kjo përbën pothuajse dy të tretat e sasisë së përgjithshme të shitur. Edhe në këtë kategori është shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak, ndërsa më të kërkuara kanë qenë paketimet me disa korneta dhe ambalazhet me sasi më të mëdha.
Rritje është regjistruar edhe në gastronomi. Shitjet në këtë sektor janë shtuar për më shumë se 10 për qind gjatë verës, duke arritur në 2.3 milionë litra. Ndërkohë, shitja e tortave me akullore dhe ëmbëlsirave tradicionale të ngrira, të njohura si bûches, është më shumë se dyfishuar, ndonëse nga një bazë fillestare relativisht e vogël.