Skip to content

Zvicra shënon rekord në shërbimet e kujdesit shëndetësor në shtëpi

Foto ilustrim

Zvicra ka shënuar rekord në ofrimin e shërbimeve të kujdesit ambulator dhe kujdesit shëndetësor në shtëpi gjatë vitit 2025. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, numri i përgjithshëm i orëve të këtyre shërbimeve arriti në 29.6 milionë, me një rritje prej 15.3 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Rritja më e madhe është regjistruar te kompanitë private, të cilat kanë ofruar 12.2 milionë orë shërbime, apo 37.6 për qind më shumë se në vitin 2024. Ndërkaq, organizatat publike jofitimprurëse kanë realizuar 15.5 milionë orë kujdes, ndërsa infermierët e pavarur 1.9 milionë orë.

Statistikat tregojnë edhe rritjen e rolit të kujdestarëve familjarë. Gjatë vitit 2025, 43 për qind e kompanive private dhe 20 për qind e organizatave publike kanë punësuar familjarë për t’u kujdesur për pacientët. Orët e kujdesit bazik, që përfshijnë ndihmën në ushqyerje, veshje dhe higjienë personale, janë rritur për 21 për qind.

Rritje është shënuar edhe në aktivitetin ambulator të spitaleve, ku numri i vizitave arriti në 25.9 milionë, apo 3.9 për qind më shumë se një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 1.5 milionë hospitalizime, ndërsa rreth 11 për qind e popullsisë së Zvicrës është shtruar në spital të paktën një herë.

Në aspektin financiar, spitalet kanë regjistruar të hyra prej 38.2 miliardë frangash dhe shpenzime prej 37.7 miliardë frangash, duke shënuar bilanc pozitiv pas tri vitesh me deficit. Edhe shërbimet e kujdesit në shtëpi kanë përmbyllur vitin me rezultat pozitiv financiar.

Sipas të dhënave, numri i përfituesve të kujdesit në shtëpi është rritur më shumë te burrat, me 10 për qind, dhe te grupmoshat deri në 19 vjeç, me 17 për qind.