Skip to content

Vrasja e Liridona Ademajt, Apeli lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Murselin dhe Plavën

Gjykata refuzoi ankesat dhe konfirmoi edhe dënimin me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe dënimin me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, përcjell albinfo.ch.

Departamenti për Krime të Rënda ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve, duke konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Sipas aktgjykimit, Murseli dhe Plava janë dënuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Kokalla për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale. Plava është dënuar edhe për posedim të paautorizuar të armëve.

Në arsyetimin e vendimit, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë e kishte vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe se nuk kishte shkelje esenciale të procedurës penale apo zbatim të gabuar të ligjit penal.

Gjatë caktimit të dënimeve janë marrë parasysh rrethanat rënduese, përfshirë planifikimin e vrasjes, mënyrën e kryerjes dhe faktin se ajo kishte ndodhur në praninë e dy fëmijëve të viktimës.

Sa i përket Kokallës, gjykata ka vlerësuar se dënimi prej 30 vjetësh është në përputhje me ligjin, duke marrë parasysh përgjegjësinë e tij për ndihmë në kryerjen e veprës penale./Albinfo.ch