Skip to content

Zvicër: Propozim për referendum të veçantë mbi marrëveshjet me BE-në

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Një propozim i ri në Parlamentin e Zvicrës parasheh që qytetarët të votojnë fillimisht nëse paketa e marrëveshjeve dypalëshe me Bashkimin Evropian duhet të miratohet edhe me shumicën e kantoneve.

Propozimi është paraqitur nga deputeti i Partisë së Qendrës, Gerhard Pfister, në prag të shqyrtimit të parë të paketës nga Këshilli Nacional gjatë sesionit dimëror të Parlamentit.

Pfister vlerëson se vendimi parlamentar për kërkesën e shumicës së kantoneve mund të jetë i ngushtë, ndaj konsideron se për këtë çështje duhet të vendosin drejtpërdrejt qytetarët përmes një votimi të veçantë.

Propozimi i tij vjen si kundërpërgjigje ndaj nismës “Kompas”, e cila kërkon që marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë paketën me BE-në, t’i nënshtrohen referendumit të detyrueshëm dhe të miratohen edhe me shumicën e kantoneve.

Ndërkohë, nismëtarët e “Kompas”-it kundërshtojnë propozimin e Pfisterit, duke vlerësuar se vendimin për këtë çështje duhet ta marrë vetë Parlamenti.

Referendumi për paketën e marrëveshjeve Bilaterale III me Bashkimin Evropian pritet të mbahet më së hershmi në vitin 2028, pasi procesi parlamentar dhe harmonizimi i qëndrimeve ndërmjet dy dhomave të Parlamentit nuk pritet të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm.