Skip to content

Thatësira në Zvicër ngre shqetësime për prodhimin e borës artificiale

(KEYSTONE/Gian Ehrenzeller)

Vera e thatë në Zvicër ka shkaktuar mungesë të ujit në disa rajone malore, duke ngritur shqetësime për furnizimin me ujë gjatë sezonit dimëror dhe prodhimin e borës artificiale në qendrat e skijimit.

Në disa zona, mungesa e ujit tashmë po ndikon në aktivitetet përgatitore për sezonin e skijimit. Në Lantsch/Lenz, në kantonin e Graubündenit, përgjegjësit për prodhimin e borës artificiale thonë se kanë dukshëm më pak ujë në dispozicion. Për këtë arsye, javën e kaluar në pistën e skijimit ndër-vendor në kompleksin Biathlon Arena Lenzerheide ishin në funksion vetëm katër topa bore.

Megjithatë, sipas Shoqatës së Teleferikëve të Zvicrës, aktualisht nuk ka raportime për qendra skijimi që përballen me vështirësi serioze në sigurimin e ujit. Kjo falë rezervuarëve artificialë, të cilët në shumë zona janë të mbushur dhe mundësojnë prodhimin fillestar të borës për sezonin e dimrit. Në Zvicër vlerësohet se ekzistojnë rreth 100 rezervuarë të tillë në zonat e skijimit.

Shqetësime më të mëdha janë shfaqur në Grindelwald, ku autoritetet lokale paralajmërojnë se nëse vazhdojnë prurjet e ulëta të ujit nga burimet natyrore, gjatë dimrit mund të ketë vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm. Përveç qendrës së skijimit, uji nevojitet edhe për pistën e skijimit ndër-vendor, pishinën e mbyllur dhe pistën e patinazhit.

Kryetari i komunës, Beat Bucher, ka paralajmëruar se në rast të mungesës së ujit do të duhet të përcaktohen prioritetet e shfrytëzimit të tij, duke mos përjashtuar kufizimet për disa aktivitete.

Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se gjatë sezonit mund të shfaqen mungesa nëse rezervuarët nuk arrijnë të rimbushen. Autoritetet lokale shpresojnë më shumë në reshje shiu sesa në borë, pasi shiu ndihmon në rikuperimin e burimeve natyrore dhe të ujërave nëntokësore.

Situata po shton vëmendjen ndaj ndikimit të thatësirës dhe ndryshimeve klimatike në menaxhimin e ujërave, veçanërisht në rajonet ku turizmi dimëror dhe aktivitetet e tjera ekonomike varen nga ky burim natyror.