I riu, i cili sipas Prokurorisë e quante veten “Pablo Escobar” në TikTok, akuzohej për një rol të rëndësishëm në një rrjet të shpërndarjes së narkotikëve. Në një depo në Aarburg u zbuluan disa kilogramë kokainë dhe heroinë, transmeton albinfo.ch.
Një 25-vjeçar shqiptar është dënuar me dhjetë vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Zofingen të kantonit Aargau, në Zvicër, për përfshirje në trafikim të drogës në shkallë të gjerë. Përveç dënimit me burg, gjykata ka urdhëruar edhe dëbimin e tij nga Zvicra për një periudhë prej 15 vjetësh. Lajmin e kanë raportuar mediat zvicerane “Aargauer Zeitung” dhe “Heute.ch”, kjo e fundit duke e publikuar në rubrikën e lajmeve të grupit AZ.
Sipas raportimit, 25-vjeçari kishte operuar një depo të narkotikëve në qytetin Aarburg, në kantonin Aargau, nga fillimi i majit të vitit 2025 deri më 19 qershor të po atij viti, kur ishte arrestuar nga policia.
Gjatë bastisjes në këtë depo, autoritetet zvicerane kishin zbuluar rreth 3.9 kilogramë përzierje kokaine, 2.4 kilogramë përzierje heroine dhe më shumë se 26 kilogramë substanca për përzierjen dhe përpunimin e drogës. Sasi të tjera të narkotikëve ishin gjetur edhe në një automjet.
Sipas Prokurorisë, materialet e shumta për paketimin e drogës tregonin për një aktivitet të organizuar dhe shpërndarje në shkallë të gjerë.
Takime nëpër kantone dhe dyshime për transferim të parave jashtë Zvicrës
Hetimet kishin zbuluar se i akuzuari udhëtonte nëpër kantone të ndryshme të Zvicrës, ku takohej shkurtimisht me persona të tjerë në parkingje publike. Pas disa prej këtyre takimeve, dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorë ishin arrestuar, njofton tutje albinfo.ch.
Analizimi i telefonit të të riut kishte zbuluar gjithashtu kontakte të shpeshta me një grup shqiptarësh jashtë Zvicrës.
Sipas aktakuzës, ai kishte qenë në kontakt edhe me dy shoferë të një kompanie transporti, të cilëve dyshohet se ua kishte dorëzuar para të gatshme në së paku 20 raste. Prokuroria pretendonte se paratë vinin nga trafikimi i drogës dhe se dërgimi i tyre jashtë vendit kishte për qëllim fshehjen e prejardhjes së paligjshme të të ardhurave.
Mbrojtja kërkoi dënim dukshëm më të ulët
Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja kishte kundërshtuar pretendimin se klienti i saj drejtonte rrjetin kriminal, duke argumentuar se ai mund të kishte pasur vetëm rolin e një korrieri.
Avokatja kishte kërkuar lirimin e tij nga disa prej pikave të aktakuzës dhe një dënim prej 36 muajsh burgim. Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar nëntë vjet burg dhe dëbimin e tij nga Zvicra për 15 vjet.
Megjithatë, Gjykata e Qarkut në Zofingen vendosi ta dënojë me dhjetë vjet burgim, një vit më shumë sesa kishte kërkuar Prokuroria.
Gjykata kishte shqiptuar edhe një gjobë prej 500 frangash zvicerane, por ajo ishte falur për shkak të mungesës së të ardhurave dhe pasurisë së të dënuarit.
Përveç dëbimit 15-vjeçar nga Zvicra, të dhënat e tij do të regjistrohen edhe në Sistemin Informativ të Shengenit (SIS), gjë që mund t’ia kufizojë hyrjen edhe në shtetet e tjera të zonës Shengen. /Albinfo.ch