Skip to content

Shqipëria triumfon ndaj Bjellorusisë, fiton grupin dhe siguron ngjitjen në Ligën B

Kombëtarja e Shqipërisë e ka përmbyllur me fitore rrugëtimin në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Bjellorusinë me rezultat 2:0 në ndeshjen e zhvilluar në Budapest.

Kuqezinjtë dominuan takimin dhe arritën të shënojnë nga një gol në secilën pjesë të lojës. Fillimisht, ishte Rey Manaj ai që kaloi Shqipërinë në epërsi në minutën e 28-të, ndërsa në pjesën e dytë, Elseid Hysaj realizoi golin e dytë në minutën e 57-të, duke vulosur fitoren.

Pavarësisht se një barazim do të mjaftonte për Shqipërinë, skuadra nuk u mjaftua me administrimin e rezultatit, por vazhdoi të kërkonte golin edhe në vazhdim të ndeshjes.

Në anën tjetër, mbrojtja shqiptare u tregua e qëndrueshme, duke kufizuar mundësitë e kundërshtarit për të rrezikuar portën e mbrojtur nga Etrit Berisha.

Me këtë fitore, Shqipëria e përfundon garën në vendin e parë të grupit në Ligën C të Ligës së Kombeve, duke siguruar promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm.

Bjellorusi – Shqipëri 0:2

* 28′ Rey Manaj

* 57′ Elseid Hysaj