Autoritetet federale zvicerane kanë vendosur të mos lejojnë rifillimin e fluturimeve nga operatori aktual në ish-aeroportin ushtarak të Kägiswilit, në kantonin Obwalden. Vendimi u bë i ditur sot përmes një njoftimi zyrtar, përcjell albinfo.ch.
Kooperativës së Aeroportit të Obwaldenit nuk do t’i jepet një e drejtë e re ndërtimi. Kontrata e mëparshme me armasuisse, pronare e tokës, kishte përfunduar në fund të shtatorit.
Në këtë hapësirë, shërbimi zviceran i shpëtimit ajror Rega planifikon të ndërtojë selinë e re dhe një heliport civil. Projekti parashikon edhe mirëmbajtjen teknike të flotës së helikopterëve.
Rega duhet të largohet nga vendndodhja aktuale në Aeroportin e Cyrihut deri në fund të vitit 2030, për shkak të ndryshimeve të planifikuara në infrastrukturën aeroportuale.
Projekti mbështetet nga qeveria dhe parlamenti i Obwaldenit. Dokumentet përkatëse janë në konsultim publik deri më 16 nëntor, ndërsa operatorit aktual i është zgjatur afati për dorëzimin e aeroportit deri në fund të marsit 2027./Albinfo.ch