Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se samiti i ardhshëm i NATO-s nuk pritet të mbahet në vitin 2027, ndërsa Tirana mund të jetë nikoqire e këtij takimi në vitin 2028, përcjell albinfo.ch.
Rama e bëri këtë deklaratë nga Dublini, ku po merr pjesë në Samitin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian.
Ai bëri të ditur se Shqipëria është paraparë si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s, por vendet anëtare ende nuk kanë arritur një dakordim për datën e organizimit të tij.
“Shqipëria është parashikuar si vendi i ardhshëm pritës i Samitit të NATO-s. Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për datën se kur do të zhvillohet samiti”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare përjashtoi mundësinë e organizimit të samitit gjatë vitit 2027, duke theksuar se nëse takimi i radhës mbahet në vitin 2028, atëherë ai do të zhvillohet në Tiranë.
“Me siguri jo në vitin 2027. Nëse do të ketë një samit në vitin 2028, atëherë ai do të mbahet në Tiranë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim”, deklaroi Rama./Albinfo.ch