Skip to content

Aksident masiv në Bullgari, të paktën 10 të vdekur dhe 50 të plagosur nga përplasja e rreth 50 automjeteve

Përplasja zinxhirore ka ndodhur në autostradën Trakia, ku janë përfshirë kamionë, autobusë dhe automjete të tjera. Mjegulla e dendur dyshohet të ketë shkaktuar aksidentin tragjik.

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mëngjesin e së martës juglindjen e Bullgarisë, ku rreth 50 automjete janë përfshirë në një përplasje masive në autostradën Trakia, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacioneve fillestare, të paktën 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim në spitalet rajonale.

Në aksident janë përfshirë kamionë, autobusë dhe automjete të tjera, të cilat janë përplasur në të dyja drejtimet e autostradës. Disa prej tyre janë përmbysur ose kanë dalë jashtë rrugës.

Mjegulla e dendur dyshohet të jetë një nga shkaqet kryesore të aksidentit, pasi ka vështirësuar ndjeshëm dukshmërinë për drejtuesit e automjeteve.

Në vendngjarje kanë intervenuar policia, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë zhvilluar operacione për nxjerrjen e personave të bllokuar në automjetet e dëmtuara dhe për transportimin e të plagosurve në spital.

Autoritetet bullgare pritet të nisin hetimet pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit, me qëllim të përcaktimit të plotë të shkaqeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie./Albinfo.ch