Fotografitë e fundit të publikuara nga Presidenca e Kosovës tregojnë ndryshime në hapësirat e institucionit, ku Deklarata e Pavarësisë është zëvendësuar me një punim artistik me filigran, ndërsa fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova është zhvendosur nga vendi i mëparshëm, përcjell albinfo.ch.
Në fotografitë e publikuara më 9 nëntor shihet se punimi me filigran është vendosur në hapësirën ku më parë qëndronte Deklarata e Pavarësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj këtyre ndryshimeve, duke i cilësuar të papranueshme. Sipas kësaj partie, fotografia e Ibrahim Rugovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë rëndësi të veçantë historike dhe shtetërore.
Në reagimin e saj, LDK-ja ka rikujtuar se fotografia e ish-presidentit Rugova ishte vendosur nga ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Deklarata e Pavarësisë nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Partia ka theksuar se këto simbole përfaqësojnë historinë e shtetformimit të Kosovës dhe nuk duhet të trajtohen si elemente dekorative.
Punimi me filigran i vendosur në hapësirat e Presidencës lidhet edhe me trashëgiminë artistike të familjes Shiroka. Babai i presidentes, Simon Shiroka, ishte një mjeshtër i njohur i filigranit nga Prizreni, veprat e të cilit janë ekspozuar brenda dhe jashtë Kosovës.
LDK-ja ka kërkuar rishikimin e vendimit dhe rikthimin e fotografisë së Ibrahim Rugovës dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të mëparshme. Sipas kësaj partie, Presidenca ka përgjegjësi të ruajë trashëgiminë historike dhe të respektojë simbolet e shtetësisë së Kosovës, pavarësisht se kush e drejton institucionin. /Albinfo.ch