Skip to content

Gjenerali amerikan përmbyll vizitën në Kosovë, FSK-ja dhe Garda e Ajovës thellojnë bashkëpunimin

Gjeneralmajori Stephen E. Osborn është njohur nga afër me kapacitetet operacionale, pajisjet dhe procesin e modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Agjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajori Stephen E. Osborn, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Kosovë, gjatë së cilës është njohur nga afër me organizimin dhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjenerali amerikan, i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar disa komanda dhe njësi ushtarake në kuadër të Partneritetit Ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Ajovës.

Gjatë vizitave, Jashari e ka informuar gjeneralmajorin Osborn për organizimin, kapacitetet operacionale, pajisjet dhe infrastrukturën e FSK-së, si dhe për arritjet në procesin e zhvillimit dhe modernizimit të saj.

Partneriteti me Gardën Kombëtare të Ajovës ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së, përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes për ngritjen e kapaciteteve operacionale.

Ky bashkëpunim ka përfshirë gjithashtu dislokime jashtë vendit dhe aktivitete të përbashkëta që synojnë rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përgatitjes profesionale të forcave.

Në përfundim të vizitës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari e ka falënderuar gjeneralmajorin Osborn për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy forcave.

FSK-ja ka ritheksuar përkushtimin për zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi strategjik, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

.