Një rast i keqpërdorimit të ndihmës sociale është zbuluar gjatë kontrolleve të autoriteteve në qytetin e Welsit, në Austrinë e Epërme, ku një përfitues kishte deklaruar të dhëna të paplota për gjendjen e tij financiare, shkruan heute.at, përcjell albinfo.at.
Sipas mediave austriake, gjatë verifikimeve është zbuluar se burri kishte një shtëpi në Kosovë dhe përfitonte gjithashtu pension atje, por këto pasuri dhe të ardhura nuk i kishte deklaruar pranë institucioneve austriake.
Pas zbulimit të rastit, autoritetet vendosën t’ia ndërpresin ndihmën sociale, ndërsa ndaj tij u ngrit kallëzim. Po ashtu, atij iu kërkua të kthente afro 9 mijë euro, shumë të cilën tashmë e ka shlyer përmes kësteve.
Rasti u zbulua gjatë kontrolleve në banesat e përfituesve të ndihmës sociale, të realizuara nga departamenti përkatës i qytetit dhe njësia e rendit. Verifikimet përfshinin kushtet e banimit, deklarimin e pasurisë dhe burimet e mundshme të të ardhurave të padeklaruara.
Një tjetër rast, qëndrime të gjata në Turqi
Gjatë kontrolleve është zbuluar edhe një rast tjetër. Një përfitues i ndihmës sociale nuk ishte gjetur në banesë gjatë disa vizitave të autoriteteve.
Pas verifikimeve, rezultoi se ai qëndronte rregullisht për disa javë në Turqi. Edhe në këtë rast, institucionet austriake vendosën të kërkojnë kthimin e shumave të përfituara dhe e paraqitën rastin pranë autoriteteve përkatëse.
Sipas të dhënave të publikuara, deri në muajin shtator të këtij viti, qyteti i Welsit kishte realizuar gjithsej 97 kontrolle në banesat e përfituesve të ndihmës sociale. Kontrollet ishin kryer si në mënyrë të rastësishme, ashtu edhe pas informacioneve konkrete për shkelje të mundshme.
FPÖ kërkon një njësi të posaçme kundër keqpërdorimeve
Rastet kanë nxitur edhe debat politik në qytetin e Linzit. Këshilltari për siguri nga Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ), Michael Raml, i ka përdorur këto raste për të mbështetur kërkesën e partisë së tij për krijimin e një njësie të posaçme hetimore kundër keqpërdorimit të ndihmës sociale.
Raml ka kritikuar shumicën socialdemokrate dhe të gjelbër në Linz, e cila, sipas tij, nuk e ka mbështetur deri më tani këtë propozim.
FPÖ kishte paraqitur kërkesën për krijimin e një grupi të tillë kontrollues në këshillin komunal të Linzit që në korrik të vitit 2025, por iniciativa ishte refuzuar nga shumica e atëhershme.
Rastet e zbuluara në Wels kanë rikthyer në debat çështjen e kontrolleve mbi përfituesit e ndihmës sociale dhe detyrimin për deklarimin e plotë të pasurisë dhe të ardhurave, përfshirë ato që sigurohen jashtë Austrisë. /Albinfo.at