Dy shtetas francezë, një grua 26-vjeçare dhe një burrë 29-vjeçar, janë dënuar nga Gjykata Federale Penale e Zvicrës për mashtrim ndaj kompanive ajrore Swiss dhe EasyJet.
Ata kishin kryer qindra blerje gjatë fluturimeve, duke përdorur kartela bankare pa mjete të mjaftueshme në llogari. Mashtrimi ishte mundësuar për shkak se pagesat në bord, në mungesë të internetit, nuk verifikoheshin në kohë reale.
Nga dhjetori 2024 deri në mars 2026, gruaja kishte kryer 159 blerje në vlerë prej më shumë se 34 mijë frangash, ndërsa burri 126 blerje në vlerë prej afro 24 mijë frangash. Ata kishin blerë cigare, kozmetikë, ora, stoli dhe produkte të tjera, të cilat më pas i rishisnin.
Gjykata e dënoi gruan me 15 muaj burgim me kusht dhe burrin me 13 muaj burgim me kusht. Përveç kësaj, ata duhet të paguajnë shpenzimet gjyqësore dhe detyrimet ndaj kompanive ajrore.
Të dyve u është shqiptuar edhe masa e dëbimit nga Zvicra: gruas për pesë vjet, ndërsa burrit për gjashtë vjet.