Skip to content

Kosova me buxhet prej 4.27 miliardë eurosh për vitin 2027, parashihen paga e 13-të dhe rritje pagash

Projektbuxheti parasheh pagën e 13-të, rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku dhe 908 milionë euro për komunat.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, i cili është proceduar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, përcjell albinfo.ch.

Buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm është 300 milionë euro më i lartë se buxheti bazë i vitit 2026 dhe 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i këtij viti.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Sipas tij, këto rezultate e rendisin Kosovën ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon dhe më gjerë.

“Për vitin 2027 buxheti i projektuar është 4.27 miliardë euro. Është për 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se nga ky buxhet, 908 milionë euro janë paraparë për komunat, duke e cilësuar këtë si një shumë rekord.

Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh gjithashtu pagesën e pagës së 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, nga 1 korriku 2027 është paraparë rritja e koeficientit të pagave në 120 euro.

“Pra, pjesa e parë e vitit do të jetë me pagë të 13-të e pjesën e dytë të vitit do të ketë rritje page për të gjithë nëpunësit që marrin paga nga buxheti. Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliard e 85 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Pas miratimit nga Qeveria, projektbuxheti është proceduar në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të shqyrtohet nga deputetët.