Skip to content

Arrestohet kreu i Policisë Kriminale në Serbi, dyshohet për shpërdorim detyre dhe keqtrajtim

Marko Kriçak dhe një tjetër zyrtar i lartë policor janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë në Beograd, nën dyshimet për veprime të paligjshme gjatë hetimit të një vrasjeje.

Kreu i Drejtorisë së Policisë Kriminale në Serbi, Marko Kriçak, është arrestuar të dielën, më 1 nëntor, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqtrajtim, përcjell albinfo.ch.

Së bashku me të është arrestuar edhe Boško Sekulović, drejtues i Shërbimit për Luftimin e Krimit në Policinë e Serbisë.

Sipas autoriteteve serbe, arrestimet lidhen me dyshimet për veprime të paligjshme gjatë hetimeve për vrasjen e Aleksandar Nešovićit, e ndodhur më 12 maj 2026 në një restorant në lagjen Senjak të Beogradit.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanović, ka konfirmuar se ndaj dy zyrtarëve është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë.

Kriçak dyshohet për shpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe për keqtrajtim dhe torturë, ndërsa Sekulović dyshohet për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, dy zyrtarët dyshohet se gjatë periudhës nga 12 maji deri më 3 qershor 2026 kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë keqpërdorur detyrën gjatë trajtimit të rastit.

Hetimet përfshijnë edhe dyshimet për ushtrim të dhunës fizike ndaj personave të përfshirë në këtë çështje.

Mediat serbe kanë raportuar gjithashtu për dyshime lidhur me manipulimin e provave dhe ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve gjatë hetimit.

Marko Kriçak është një figurë e njohur e strukturave të sigurisë në Serbi. Para se të merrte drejtimin e Policisë Kriminale, ai kishte udhëhequr Njësinë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve.

Emri i tij ishte përmendur edhe gjatë protestave studentore në Serbi në vitin 2025, kur studentja Nikolina Sinđelić e kishte akuzuar për dhunë fizike dhe kërcënime gjatë një ndërhyrjeje policore.

Megjithatë, arrestimi i së dielës nuk lidhet drejtpërdrejt me këto akuza të mëparshme, por me hetimet për rastin e njohur si “Senjak”.

Kryeprokurori Stefanović ka deklaruar se arrestimet nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor apo rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Dy të arrestuarit pritet të merren në pyetje nga Prokuroria brenda afatit ligjor.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarve mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë.