Skip to content

SBB parashikon 7 miliardë franga për digjitalizimin e rrjetit hekurudhor

Modernizimi deri më 2045 kërkon shumë më tepër mjete sesa një miliard frangat e parashikuara në paketën e vitit 2027

Hekurudhat Federale të Zvicrës (SBB) vlerësojnë se digjitalizimi i infrastrukturës hekurudhore deri në vitin 2045 do të kushtojë rreth shtatë miliardë franga. Nevojën për këtë financim e kanë konfirmuar SBB-ja dhe Zyra Federale e Transportit për agjencinë Keystone-SDA, raporton Swissinfo.

Në paketën e vitit 2027 është parashikuar një miliard franga për digjitalizimin. Sipas SBB-së, kjo shumë mundëson një hap të parë të rëndësishëm, por nuk mjafton për zbatimin e të gjitha masave të kërkuara nga autoritetet federale, transmeton albinfo.ch.

Kompania kërkon që modernizimi të ecë përpara me vendosmëri. Megjithatë, përparësi u jep mirëmbajtjes së rrjetit ekzistues dhe realizimit të ofertës së planifikuar për vitin 2035. Pjesë të rëndësishme të infrastrukturës që lidhen me sigurinë duhet të rinovohen.

Zyra Federale e Transportit ka konfirmuar se financimi i digjitalizimit do të sigurohet përmes instrumenteve të ndryshme financiare. Shuma prej shtatë miliardë frangash përfaqëson nevojën e vlerësuar për projektin, jo një fond të vetëm tashmë të miratuar.

Sipas SBB-së, teknologjitë digjitale do të mundësojnë shfrytëzim më të mirë të rrjetit, me më shumë trena dhe qarkullim më të qëndrueshëm e të përpiktë. Kjo konsiderohet një pjesë e rëndësishme e përgatitjeve për rritjen e ardhshme të kërkesës për transport.