Skip to content

46 të vdekur nga përplasja e dy trenave në Spanjë

Aksidenti hekurudhor ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe ka ndërprerë qarkullimin në linjën që lidh Madridin me rajonin e Andaluzisë. Shkaqet e përplasjes mbeten të paqarta.

Ka shkuar në 46 numri i viktimave nga përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, në një aksident të rëndë që ka ndërprerë qarkullimin hekurudhor në linjën Madrid–Andaluzia, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të Sky News, në të dy trenat ndodheshin gjithsej rreth 400 pasagjerë.

Aksidenti ndodhi mes qyteteve Mora dhe Orgaz, kur një tren i kompanisë Renfe dhe një tjetër i kompanisë Iryo, që po udhëtonin nga Madridi drejt Seviljes, u përplasën pak pas orës 09:00, sipas kohës lokale.

Si pasojë e përplasjes, dy vagonë të trenit të kompanisë Iryo dolën nga shinat. Deri më tani, shkaqet që çuan në aksident nuk janë bërë të ditura.

Operatori hekurudhor Adif njoftoi përmes një postimi në rrjetin social X se qarkullimi në linjën e shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzia është pezulluar pas aksidentit.

Ndërkohë, Manuel Galan, kryetar i bashkisë së Urdës, pranë qytetit të Toledos, deklaroi se shërbimet e emergjencës i kishin kërkuar të përgatiste një palestër sportive për strehimin e të lënduarve.

Autoritetet spanjolle po vazhdojnë të merren me pasojat e aksidentit, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat që çuan në përplasjen e dy trenave./Albinfo.ch