Mimoza Kusari-Lila ka marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë, me ftesë të ambasadorit austriak në Kosovë, Georg Schnetzer. Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e partneritetit dhe bashkëpunimit në rrugën drejt integrimit evropian, përcjell albinfo.at.
Përmes një mesazhi publik, Kusari-Lila ka theksuar se Austria dhe Kosova i lidhin marrëdhënie të forta historike, vlera të përbashkëta evropiane dhe synime të përbashkëta për të ardhmen.
Sipas saj, bashkëpunimi mes dy vendeve po zgjerohet vazhdimisht, veçanërisht në fushën e ekonomisë, përmes krijimit të partneriteteve të reja, rritjes së investimeve austriake dhe pranisë gjithnjë e më të madhe të produkteve austriake në tregun kosovar.
Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, duke shprehur besimin se marrëdhëniet mes dy vendeve do të krijojnë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset.
Marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Austrinë përbëjnë një nga shtyllat e bashkëpunimit të Kosovës me vendet evropiane, ndërsa thellimi i këtij partneriteti mbetet me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e mëtejshëm me familjen evropiane./Albinfo.at