Skip to content

Shkodra organizon konferencë shkencore për gjuhën shqipe në diasporë

Mësimdhënia, certifikimi i njohurive gjuhësore dhe ruajtja e identitetit shqiptar jashtë atdheut do të jenë në fokus të konferencës së 17 nëntorit. Studiuesit dhe mësuesit e shqipes mund të aplikojnë me kumtesat e tyre deri më 1 nëntor.

Ruajtja dhe përhapja e gjuhës shqipe te brezat e rinj në diasporë do të jetë në qendër të një konference shkencore që do të mbahet më 17 nëntor 2026 në Shkodër. Aktiviteti organizohet nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe me mbështetjen e GIZ Shqipëri, shkruan albinfo.ch.

Konferenca me temën “Gjuha shqipe në diasporë: Mësimdhënia, Certifikimi, Kultura dhe Identiteti” synon të krijojë një hapësirë për diskutim shkencor dhe shkëmbim përvojash rreth sfidave me të cilat përballen mësuesit, institucionet arsimore dhe organizatat e diasporës në mësimin e shqipes jashtë vendit.

Organizatorët kanë parashikuar një format hibrid, duke u mundësuar të interesuarve të marrin pjesë si fizikisht në Shkodër, ashtu edhe përmes internetit.

Në fokus mësimdhënia dhe ruajtja e identitetit shqiptar

Tematikat e konferencës përfshijnë metodat dhe materialet mësimore për mësimin e shqipes si gjuhë trashëgimie, gjuhë e dytë dhe gjuhë e huaj. Po ashtu, do të trajtohen vlerësimi dhe certifikimi i kompetencave gjuhësore, përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie dhe roli i letërsisë, librave dhe veprimtarive kulturore në ruajtjen e identitetit shqiptar jashtë atdheut, shkruan tutje albinfo.ch.

Në këtë aktivitet ftohen të marrin pjesë studiues, pedagogë, mësues të gjuhës shqipe në diasporë, ekspertë të gjuhësisë dhe arsimit, autorë të teksteve mësimore, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që veprojnë në diasporën shqiptare.

Afati për dorëzimin e kumtesave deri më 1 nëntor

Të interesuarit që dëshirojnë të kontribuojnë me punimet e tyre shkencore duhet t’i dorëzojnë abstraktet deri më 1 nëntor 2026.

Abstraktet duhet të dërgohen në adresën elektronike: [email protected].

Konferenca synon të kontribuojë në zhvillimin e praktikave të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve, mësuesve dhe institucioneve që punojnë për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar në diasporë. /Albinfo.ch