Skip to content

Gjermani: 12 të mitur dyshohen për dhunë ndaj një 14-vjeçari, mes tyre edhe persona me prejardhje shqiptare

Një rast i rëndë i dhunës ndaj një të mituri është duke u hetuar nga autoritetet gjermane, pasi një 14-vjeçar dyshohet se është sulmuar dhe keqtrajtuar për disa orë nga një grup fëmijësh dhe adoleshentësh në qytetin Neubrandenburg.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, policia ka identifikuar 12 të mitur, të moshës 9 deri në 15 vjeç, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë incident. Në mesin e tyre, sipas autoriteteve, ka persona me prejardhje shqiptare, gjermane, tuniziane, si dhe gjermano-turke.

Ngjarja ka ndodhur në landin Mecklenburg-Vorpommern, ndërsa një pjesë e incidentit është filmuar nga kënde të ndryshme. Pamjet dyshohet se kanë qarkulluar edhe në rrjetet sociale.

Hetimet fillestare kanë treguar se disa nga të dyshuarit dyshohet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në sulm, ndërsa të tjerë kanë filmuar ngjarjen. Fillimisht, viktima ishte raportuar me lëndime të lehta, por pas ekzaminimeve mjekësore, gjendja e tij është vlerësuar më serioze dhe ai është dërguar në spital për trajtim.

Sipas informacioneve të publikuara nga policia, gjatë incidentit dyshohet se janë përdorur grushte, shqelma dhe sende të ndryshme, ndërsa 14-vjeçari ka pësuar edhe djegie.

Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar telefonat e personave të dyshuar. Materialet filmike të gjetura në to kanë ndihmuar në dokumentimin e ngjarjes dhe në sqarimin e rolit të secilit prej të dyshuarve.

Rasti po hetohet për vepra të dyshuara penale, përfshirë lëndimin e rrezikshëm trupor, detyrimin dhe fyerjen. Për shkak se hetimet janë ende në zhvillim, policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me personat që dyshohet se kanë pasur rol kryesor në incident.

Ndërkohë, për fëmijët nën moshën 14-vjeçare, autoritetet do të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të miturve, pasi sipas legjislacionit gjerman, kjo grupmoshë nuk mban përgjegjësi penale.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë nga policia kriminale në Neubrandenburg.