Skip to content

Protestat në Francë, dëmet deri në 1.2 miliardë euro

Fatura e pritshme e sigurimeve, prej 1-1.2 miliardë eurosh, është ndjeshëm më e lartë se 730 milionë eurot e dëmeve të siguruara nga trazirat e vitit 2023

Dyqanet e markave të luksit, përfshirë Louis Vuitton, Hermès, Burberry dhe Kenzo, janë bërë objekt i sulmeve dhe grabitjeve gjatë fundjavës së trazirave në Francë. Të paktën 3 mijë biznese janë prekur nga dhuna, ndërsa dëmet e mbuluara nga sigurimet pritet të arrijnë në 1-1.2 miliardë euro, sipas vlerësimeve të Morningstar, raporton Financial Times.

Trazirat shpërthyen pas protestave kundër financimit të pamjaftueshëm të shkollave dhe kostos së lartë të jetesës, por u shndërruan në akte dhune dhe grabitje të organizuara, duke goditur disa prej zonave më të shtrenjta tregtare të Francës, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në Paris, gjashtë persona të maskuar tentuan të thyenin xhamat e dyqanit Louis Vuitton në sheshin luksoz Place Vendôme, duke përdorur një barrierë rrugore. Xhamat e përforcuar rezistuan, duke penguar hyrjen e grabitësve.

Dyqane të tjera nuk patën të njëjtin fat. Në Rue Royale, një butik Kenzo u grabit, ndërsa xhamat e Ralph Lauren u thyen. Punonjësit e Dior arritën të mbronin dyqanin duke ulur grilat e sigurisë, ndërsa në Avenue Montaigne, forcat private të sigurisë krijuan një perimetër mbrojtës rreth dyqanit kryesor të markës.

Në Marsejë, dyqanet Louis Vuitton dhe Hermès u grabitën, ndërsa në Paris u dëmtuan edhe butikët Burberry, Graff dhe Lacoste.

Dhuna nuk kurseu as zinxhirët e mëdhenj tregtarë. Rreth 20 dyqane Sephora u sulmuan në të gjithë Francën, së bashku me disa pika të JD Sports dhe një dyqan Apple në Lille. Një sallon Tesla në qendër të Parisit u mbulua me mbishkrime kundër Elon Musk, ndërsa një degë e bankës Société Générale u vandalizua.

Qeveria ndërhyn për të ndaluar shitjen e mallrave të grabitura

Autoritetet franceze po përpiqen të pengojnë rishitjen në internet të produkteve të vjedhura. Ministrat zhvilluan të hënën një takim me përfaqësues të platformave Vinted, Amazon, eBay, Meta dhe TikTok, për të identifikuar shitësit e dyshimtë dhe për të hequr ofertat që mund të lidhen me grabitjet.

Vinted njoftoi se kishte forcuar kontrollet dhe po bashkëpunonte me policinë. Disa produkte luksi kanë numra serialë unikë ose çipa elektronikë, që mund të ndihmojnë në identifikimin e mallrave të vjedhura.

Mijëra biznese të dëmtuara, qeveria premton mbështetje

Ministri francez i Tregtisë, Serge Papin, deklaroi se të paktën 3 mijë biznese janë prekur nga trazirat në shkallë kombëtare. Qeveria ka premtuar ndihmë emergjente financiare dhe masa për mbështetjen e punësimit.

Fatura e pritshme e sigurimeve, prej 1-1.2 miliardë eurosh, është ndjeshëm më e lartë se 730 milionë eurot e dëmeve të siguruara nga trazirat e vitit 2023.

Përfaqësuesit e bizneseve në Champs-Élysées, Saint-Honoré dhe Place Vendôme dënuan sulmet, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk mund të justifikojë dhunën dhe shkatërrimin e pronës.

Pas shifrave të mëdha qëndrojnë edhe bizneset e vogla. Pronari i një dyqani riparimi telefonash pranë Gare du Nord tregoi se rreth 100 persona të maskuar tentuan të hynin me forcë në ambientet e tij. Ai vlerësoi dëmet në 7-10 mijë euro dhe tha se kishte telefonuar policinë, por askush nuk kishte mbërritur.

Për tregtarët francezë, trazirat përbëjnë një tjetër goditje në një periudhë kur bizneset po përballen me presionin e kostove dhe dobësimin e fuqisë blerëse.