Autoritetet tatimore në kantonin Vaud të Zvicrës kanë vendosur që 120 mijë franga zvicerane nga dëmshpërblimi i marrë nga një viktimë e abuzimit seksual nga Kisha Katolike të trajtohen si të ardhura të tatueshme.
Gruaja, e cila ishte abuzuar seksualisht nga një prift në moshën 12-vjeçare në fund të viteve ’70, kishte arritur një marrëveshje me Kishën për kompensim prej 220 mijë frangash. Nga kjo shumë, autoritetet tatimore kanë pranuar të përjashtojnë nga tatimi 100 mijë franga, ndërsa pjesën tjetër e konsiderojnë të ardhur të tatueshme.
Gjykata Kantonale e Vaud-it e mbështeti vendimin, duke argumentuar se shuma e përgjithshme e kompensimit tejkalonte atë që do të mund të caktohej nga një gjykatë si dëmshpërblim për dëmin moral.
Viktima dhe avokati i saj e kundërshtojnë këtë vendim dhe synojnë ta ankimojnë atë në Gjykatën Federale të Zvicrës, me afat deri më 4 nëntor.