Skip to content

Edi Rama të hënën në Vjenë, do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari austriak

Vizita e Ramës në Vjenë përbën një takim zyrtar të nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Austrisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë të hënën, më 19 tetor 2026, një vizitë zyrtare në Austri, ku do të pritet nga kancelari federal Christian Stocker në Vjenë.

Sipas njoftimit zyrtar të Shërbimit Federal të Shtypit të Austrisë, takimi do të zhvillohet në kuadër të vizitës zyrtare të kreut të qeverisë shqiptare në kryeqytetin austriak.

Ceremonia e pritjes është paraparë të fillojë në orën 12:00, kur kryeministri Rama do të mbërrijë në Ballhausplatz, ku do të mirëpritet nga kancelari Stocker me nderime ushtarake, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet austriake kanë bërë të ditur se ceremonia do të jetë e hapur për përfaqësuesit e mediave të akredituara, të cilët do të kenë mundësi të realizojnë fotografi dhe pamje filmike nga hapësirat e përcaktuara për shtypin.

Për shkak të masave të sigurisë, hyrja për gazetarët do të lejohet nga ora 11:30, ndërsa qarkullimi i automjeteve në zonën e Ballhausplatz do të kufizohet nga ora 10:30.

Kancelaria Federale e Austrisë ka njoftuar gjithashtu se ceremonia e pritjes do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën e saj zyrtare, ndërsa fotografitë nga aktiviteti do të publikohen përmes shërbimit fotografik të kancelarisë.

Vizita e Ramës në Vjenë përbën një takim zyrtar të nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Austrisë.

Deri më tani, në njoftimin zyrtar nuk janë bërë të ditura temat konkrete që pritet të diskutohen gjatë takimit mes dy kryeministrave.