Skip to content

Arrestohet shqiptari i dyshuar për vjedhjet në banesat e futbollistëve të Barcelonës

Tre persona janë arrestuar nga policia katalanase nën dyshimin për një seri vjedhjesh në banesat e futbollistëve të Barcelonës dhe familjeve të pasura në Spanjë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe shtetasi me origjinë shqiptaro-kosovare, Arsim Blaku, 58 vjeç, i cili, sipas mediave spanjolle, dyshohet se kishte rol kyç në organizimin e grupit.

Hetimet e Mossos d’Esquadra lidhen me të paktën tetë raste vjedhjesh në Katalonjë, përfshirë ato në banesat e futbollistëve Pau Cubarsí dhe Joan García.

Grupi dyshohet se kishte vëzhguar paraprakisht edhe banesën e mbrojtësit francez Jules Koundé, por plani për ta sulmuar nuk u realizua, përcjell Albinfo.

Sipas raportimeve, të dyshuarit vëzhgonin banesat dhe lëvizjet e pronarëve, ndërsa përdornin automjete me qira.

Hetuesit arritën te ta pas informatave se njëri prej tyre po tentonte të shiste në tregun e zi dy orë të vjedhura, që dyshohet se u përkisnin Cubarsít dhe Garcías.

Arrestimet u kryen më 1 tetor në Gavà, afër Barcelonës.

Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rastet e dyshuara dhe për të përcaktuar nëse grupi ishte i përfshirë edhe në vjedhje të tjera.

Të arrestuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Albinfo.ch/