Shqipëri

Shqipëria e quan mesazh uniteti listën e përbashkët të shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi

Partitë dhe subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të parapara për 25 tetor 2026.

Marrëveshjen e ka përshëndetur Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, e cila e ka cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit dhe koordinimit politik të përfaqësuesve shqiptarë në Luginë, transmeton Albinfo.ch.

Në reagimin e saj, MEPJ ka vlerësuar përgjegjshmërinë e subjekteve politike shqiptare për arritjen e marrëveshjes, duke theksuar se një përfaqësim i përbashkët mund të kontribuojë në adresimin më të koordinuar të çështjeve që lidhen me të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në këtë rajon.

“Kur bashkohet zëri politik, forcohet përfaqësimi”, thuhet në reagim.

Sipas MEPJ-së, bashkëpunimi politik ndërmjet subjekteve shqiptare është i rëndësishëm për çështjet që prekin drejtpërdrejt komunitetin, përfshirë përfaqësimin politik, barazinë para ligjit, të drejtat e komunitetit dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Ministria ka deklaruar gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Marrëveshja për garimin me një listë të përbashkët është arritur pak javë para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke bashkuar në një garë të përbashkët subjektet politike shqiptare të Luginës./Albinfo.ch/


 Të tjera nga Shqipëri