Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll ka njoftuar se, bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, disa kategori të qytetarëve do të lirohen nga pagesa e tarifave për aplikim për pasaportë dhe letërnjoftim.
Sipas njoftimit, nga kjo lehtësi përfitojnë invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), anëtarët e ngushtë të familjeve të dëshmorëve dhe personave të zhdukur të UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara të kategorizuar sipas legjislacionit në fuqi, si dhe personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Konsullata ka sqaruar se lirimi nga pagesa vlen vetëm për procedurën e rregullt të aplikimit për pasaportë dhe letërnjoftim.
Për informata shtesë rreth dokumentacionit të nevojshëm dhe kushteve të aplikimit, qytetarët mund të kontaktojnë drejtpërdrejt Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll.